Arsim

Universiteti i Tiranës renditet i fundit në rajon

Në klasifikimin botëror të cilësisë së universiteteve sipas “Ranking web of Universities” Universiteti i Tiranës renditet i fundit nga universitetet kryesore të vendeve të rajonit.
Klasifikimi që bën ‘Ranking web’ bazohet në cilësinë, kërkimin shkencor, performancën e çdo universiteti, sipas pasqyrimit që ato vetë bëjnë në web-et e tyre.
Duke u bazuar në këto të dhëna, eksperti i arsimit Albano Zhapaj shpjegon për Gazetasi.al se duhet të shpallen zgjedhje të ndershme në universitet, ku të mos zgjidhen ushtarët e qeverisë, por profesorati i përkushtuar.
"Sa më larg ti rrijë pushteti universiteteve, aq më të dobisrhëm bëhen ata, për të rinjtë dhe për vendin",shpjegon Zhapaj.


Sipas të dhënave Shqipëria renditet e 3 786-ta nga 31 mijë universitete në 200 shtete të botës.

Eksperti shpjegon se, prej vitesh është paralajmëruar dështimi i universiteteve publike. Sipas tij një ndër faktorët që ka çuar në këtë rënditje është keqmenaxhimi i tyre.
Zhapaj i cili ka qenë kundër zgjedhjeve universitare para dy viteve për autoritetet drejtuese, ku sipas tij u bënë në shkelje të ligjit, pa studentë dhe në fund të korrikut dhe në kohë pandemie, shton se rankimi vërteton se duhet ndryshuar sistemi akademik.

Albano Zhapaj

"Mjafton të bësh një analizë të punësimeve të dy viteve të fundit, vëren se në kulmin e pandemisë, me auditorë pa studentë, janë kryer punësime për personel akademik dhe administrativ, më tepër se në vitet 2012-2013 ku auditorët kishin dyfishin e studentëve që kanë sot",shton më tej eksperti.
Lidhur me këtë çështje, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi, në një intervistë për mediet ka shpjeguar se renditja duhet lexuar si duhet pasi renditja është kryer në bazë të informacioneve që universitetet kanë shfaqur në faqet online.
Sipas opinionit të Ministres të publikuar në rrjetin social "Instagram", universitetet duhet të
rishikojnë politikën e publikimit në faqet zyrtare, duke promovuar rritje të konsiderueshme të vëllimit dhe cilësisë së publikimeve të tyre elektronike.

Ministrja Evis Kushi

"Qëllimi kryesor i renditjes është të promovojë praninë akademike në publikimet elektronike në mbështetje të iniciativës “Open Access” për të rritur transferimin e njohurive shkencore dhe kulturore, të gjeneruara nga Universiteti, në gjithë shoqërinë," shton më tej Ministrja.

Ndërkaq, në rajon i pari që renditet i vlerësuar është Universiteti i Athinës, më pas ai i Kroacisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Në botë “Harvard University” vazhdon të mbetet universiteti më i mirë, e pas tij  renditen “Stanford University” dhe “Massachusetts Institute of Technology”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë