Lajme

Universiteti i Tiranës hap dyert për 5545 studentë të rinj për vitin 2018-2019

Universiteti i Tiranës do të hapë dyert për 5545 studentë të rinj që do të përzgjidhen në një nga degët e studimit për vitin akademik 2018-2019. Çlirim Duro, drejtor i Kurrikulës në Rektoratin e këtij universiteti zbardh vendimin e miratuar në mbledhjen e fundit të senatit akademik. Sipas Duros, kuotat e pranimit në UT janë pothuajse njësoj krahasuar me një vit më parë, me diferenca shumë të vogla. Kështu në Bachelor ka rreth 86 kuota më pak se viti i kaluar, në master shkencor ka 27 më shumë dhe në master profesional rreth 52 kuota më shumë krahasuar me 2017-2018-ën.

Ndërkohë drejtori i Kurrikulës bën me dije se ndër degët më të kërkuara nga maturantët janë Informatika, Drejtësia, Ekonomiku, por pa lënë pas edhe programet e studimit te Fakulteti i Shkencave Sociale e ai i Gjuhëve të Huaja. Sakaq, Duro thekson për të gjithë ata që kanë dyshime mbi njohjen e diplomës së dhënë nga Universiteti i Tiranës, se ky institucion është futur në periudhën e një akreditimi periodik dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Në mbledhjen e fundit të senatit akademik të Universitetit të Tiranës u përcaktuan kuotat e pranimit për vitin akademik 2018-2019 në të 6-ta fakultetet. Sa është numri i kuotave për nivelin Bachelor dhe Master?
Universiteti i Tiranës në mbledhjen e radhës të Senatit Akademik vendosi të miratojë kuotat për ciklin e parë dhe ciklin e dytë të studimeve, pra për Bachelor dhe për Master Shkencor dhe Profesional. Në ciklin e parë Bachelor ne kemi 5545 kuota; në ciklin e dytë Master i Shkencave kemi 3400 kuota dhe po në ciklin e dytë në Master Profesional, ne kemi 2667 kuota.

Më specifikisht, sa studentë do të pranohen këtë vit në juridik, ekonomik dhe degë të tjera të shkencave sociale apo natyrore?
Sipas vendimit më të fundit të senatit akademik, në fakultetin e Drejtësisë ka 700 kuota; në Fakultetin Ekonomik, dega Administrim-Biznesi ka 460 kuota, Ekonomiksi 110 të tilla, Financa ka 460, dhe Informatikë- Ekonomike ka 250 kuota. Ndërkohë 180 kuota do të kenë degët Histori, Gjeografi dhe Gjuhë- Letërsi; Gazetaria ka 120; Arkeologjia ka 100 kuota pranimi. Vijomë më tej me Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku dega Biologji ka 100 kuota; Bioteknologjia po 100 të tilla; Matematika ka 100 kuota e po njësoj edhe Fizika. Po 100 studentë do të pranohen edhe në këto degë: Kimi, Kimi dhe Teknologji Ushqimore, Kimi Industriale dhe Mjedisore; Teknologji Informacioni si dhe Inxhinieri Matematikë dhe Informatikë. Ndërkohë Informatika do të ketë në dispozicion 200 kuota. Në Fakultetin e Shkencave Sociale, dega Psikologji ka në dispozicion 110 kuota; Punët Sociale, Sociologjia dhe Shkencat Politike, Administrim dhe Politikë Sociale do të kenë 100 studentë të rinj çdo program. Ndërsa filiali i UT në Sarandë do të ketë 75 kuota për degën Administrim Biznesi dhe Gjuha Angleze 50 kuota.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë