Arsim

Universiteti i Korçës, marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Politeknik, do hapen programe të reja

Nga Gazeta Si- Drejtuesit e Universitetit të Korçës dhe universitetit Politeknik kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi duke synuar hapjen e programeve të reja të studimit.

Dy rektorët thanë pas nënshkrimit të marrëveshjes se synimi është zhvillimi i mëtejshëm i arsimit të lartë për të shkuar drejt ndërkombtarizimit.

Për rektorin e universitetit të Korçës, ky është një proces që indirekt lidhet me profilizimin e universitetit.

“Marrëveshja kuadër përfshin shumë pika bashkëpunimi ndërmjet të cilave edhe hapja e programeve të përbashkëta. Nuk mund të themi ende gjë konkrete pasi do ngrihen grupe pune specialistësh të programeve përkatëse, që janë risi dhe mund të jenë unikale në vend, për t’u hapur konkretisht në Universitetin e Korçës dhe universiteti Politeknik ka kapacitetet e duhura akademike për të na ndihmuar në këtë pjesë”, tha në konferencë rektori i Universitetit “Fan Noli”, Dhimitër Bello.

Rektori i universitetit Politeknik Andrea Maliqari tha se bashkëpunimi me universitetet në rrethe është i domosdoshëm për të arritur zhvillimin e plotë të arsimit të lartë dhe që universitetet të kenë studentë jo vetëm nga Shqipëria por nga gjithë bota.

“Ne sot po nënshkruajmë një marrëveshje duke synuar në tendencat e reja, në programet e përbashkëta në shkëmbimin e eksperiencave të pedagogëve, jo vetëm të studentëve korçarë por edhe më gjerë“, u shpreh rektori i Universitetit Politeknike, Andrea Maliqari.

Pavarësisht nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, nuk mund të thuhet ende nëse vitin e ardhshëm programet e reja do të jenë gati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë