Arsim

Universitetet nuk shpenzojnë para për libra, por për orendi, sigurim godine, rikonstruksion

Nga Gazeta Si - Universitetet e Shqipërisë shpenzojnë para për orendi, rikonstruksione, sigurinë e godinave ndërkohë që për libra dhe kërkime shkencore vijojnë të shpenzojnë një pjesë shumë të vogël të fondit të tyre.

Në këtë përfundim arrin Qëndresa Qytetare nëpërmjet një monitorimi të shpenzimeve të 7 universiteteve kryesore në vend për një periudhë kohore 1 shtator 2022-31 gusht 2023.

Shtatë universitetet publike të monitoruara janë universiteti i Tiranës, univeristeti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, universiteti “Fan Noli” Korcë, universiteti i Mjeksisë Tiranë, universisteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër dhe universiteti Politeknik i Tiranës.

Të shtatë universitet kanë shpenzuar shifra të konsiderueshme në zërin honorare dhe shpërblime për personelin, të kryesuara nga UPT me 1.5 milion Euro, Universiteti i Elbasanit me rreth 600 mijë Euro dhe UT me rreth 400 mijë Euro honorare dhe shpërblime.

Pavarësisht se në vitin 2019 u shpenzuan 170 mijë Euro për rikualifikimin e oborrit të Fakultetit të histori-filologjisë, Unviersiteti i Tiranës ka shpenzuar edhe rreth 300 mijë Euro për mirëmbajtje ndërtese dhe ambientirrethues, ku vetëm FHF dhe FEUT rezultojnë me një mur rrethues.

Ndërkohë, universiteti i Elbasanit ka shpenzuar 500 mijë Euro për sigurimin në një vit të godinës së tij me 19 roje në dispozicion, ndërsa UT ka shpenzuar rreth 700 mijë Euro për ruajtjen e godinave.

“Shtatë universitete publike kanë shpenzuar në total 50 000 Euro për zërine karburantit dhe vajit, shifër e cila shpenzohej nga vetëm një universitetnë vitet e shkuara. Madje dy universitete, UT dhe UPT nuk kanë shpenzime për këtë nënkategori”,shkruhet në monitorimin e Qëndresës Qytetare.

Njësoj si vitet e fundit, shtatë universitetet publike nuk shpenzojnë për studime dhe kërkime shkencore. Universitetet kanë shpenzuar në total 79 mijë Euro për studime dhe kërkime shkencore nga 42 milion Euro të shpenzuara në total.

I vetmi universitet që nuk ka kryer shpenzime në zërin “Studime dhe Kërkime” është Universiteti i Mjekësisë Tiranë.

Nga shtatë universitete, vetëm universiteti i Shkodrës nuk ka blerë asnjë libër, ndërsa gjashtë universitetet e tjera kanë kryer shpenzime për këtë kategori në vlerën totale 225 mijë Euro.

Në kategorinë “Blerje Mallrash” Universiteti i Tiranës mban vendin e parë me shpenzime në zërin “Pajisje Informatike” në vlerën e 1 mln Euro.

“Universiteti i Tiranës ka shpenzuar për një seri blerje mallrash të cilat hedhin dyshime për keqpërdorimin e parave të tarifave të studentëve ku mund të theksojmë blerje ari dhe argjendi për studentët 46 mijë Euro, bojë printeri dhe letra A4 160 mijë Euro dhe detergjentë 100 mijë Euro.

Ndërkohë Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 380 mijë Euro për blerjen e mobiljeve dhe orendive në zërin e investimeve ndërsa UPT ka shpenzuar rreth 200 mijë Euro për rinovimin e sallës “Silvano Pedrollo” në brendësi të Rektoratit, sallë e cila ishte në gjendje të mirë infrastrukturore më parë.

Kategoria e shpenzimeve të personelit është ndër kategoritë që zënë peshën kryesore të shpenzimeve të universiteteve. Universiteti që ka shpenzuar më shumë para për “Dieta dhe udhëtime” është Universiteti Politeknik i Tiranës me rreth 200 mijë euro, ndërsa universitetet e Shkodrës, Durrësit dhe Elbasanit kanë shpenzuar nga rreth 50 mijë euro për këtë kategroi në 1 vit kalendarik.

Ndërkohë “është sërisht UPT ai që shpërblen në shifra më të larta Bordet e Administrimit dhe Senatin Akademik me vlerë rreth 122 mijë euro.

Ajo çka bie në sy në zërin e shpenzimeve të personelit është që Universiteti I Tiranës dhe ai i Shkodrës nuk kanë bërë asnjë shpenzim në zërin “Paga me kontratë për kohë të kufizuar” ndërsa UAMD është universiteti që ka shpenzuar më shumë për këtë zë, ku vihet re se është i vetmi universitet që ka angazhuar lektorë të huaj me kohë të kufizuar.

Universitetet kanë shpenzuar shifra të konsiderueshme në zërin “Honorare dhe shpërblime” për personelin, të kryesuara nga UPT me 1.5 milion Euro, Universiteti i Elbasanit me rreth 560 mijë Euro dhe UT me rreth 390 mij Euro honorare dhe shpërblime.

Në kategorinë "Investime" UPT është universiteti që ka kryer shpenzimet më të larta me total vlerën 1.8 mln euro ku peshën kryesore e zë blerja e mjeteve dhe pajisjeve teknike me 1.4 mln Euro.

Zëri ku asnjëri nga Universitet nuk kanë bërë asnjë shpenzim këtë periudhë është për mjete transporti.

Ndërkohë që në 7 universitetet e marra në shqyrtim ende mungojnë disa shërbime bazike për studentët si:

- Sistemi elektronik i studentëve

- Wi-fi falas për studentët

- Bibliotekat

- Fotokopje dhe printera falas për studentët

- Lëshim i vërtetimeve dhe dokumentacioneve në mënyrë elektronike pa pagesë

- Akses online për revista botërore të fushave të ndryshme shkencore

- Ngrohje – Ftohje në sallat e leksionit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë