Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, është përplasur me Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në MB për tenderin e uniformave.
Sipas dosjes hetimore, mësohet drejtori Ardi Veliu, ka kundërshtuar disa elementë të zbatimit të kontratës, me pretendimin se mund të kishin pasur ndikim në fondin limit në të ardhmen.
Veliu i është drejtuar agjencisë me një shkresë në 8 gusht 2020, ku ngre problematika në disa elementë të zbatimit të kontratës.
Më konkretisht, bëhet fjalë për dorëzimin e mallit, sasitë e pritshme, pajisjet e sistemit elektronik të shpërndarjes, mirëmbajtjes së sistemit elektronik dhe çmimet e ofertuara.
Sipas shkresës së Veliut, janë ofertuar tre çmime të ndryshme për të njëjtin artikull, që ka vetëm një specifikim teknik. Për disa artikuj, çmimi i ofruar është më i ulët, gati nën kosto.
LEXO EDHE:
– Skandali i uniformave, inxhinierja që zbuloi abuzimin dhe nuk pranoi të firmoste tenderin
– Tenderat, joshja e madhe për të fituar. Si u vodh e u la zhveshur policia shqiptare ndër vite
Tenderat, joshja e madhe për të fituar. Si u vodh e u la zhveshur policia shqiptare ndër vite
“Ekziston një mospërputhje mes logjikës së prodhimit dhe çmimit të ofruar, si në rastin kur këmisha me mëngë të gjata, kushton më pak se këmisha me mëngë të shkurtra, këmisha për meshkuj, kushton më shumë se këmisha për femra”, – thuhet në shkresën e kryepolicit Veliu.
Për këtë arsye, prania e këtyre çmimeve është risk për cilësinë e produktit dhe “do të ndikojë në llogaritjen e fondit limit në të ardhmen, sepse përvojat e mëparshme ndikojnë në vlerën e kontratës”, thuhet në dosjen e SPAK.
Ndërkohë, në përgjigjen e kthyer nga Agjensia e Blerjeve të Përqendruara, thuhet se tashmë përgjegjësia për kontratën nuk ishte më e policisë, e cila i kishte mbaruar detyrat e saj.
Në këtë mënyrë, duket se Veliu shpëton nga përgjegjësia ligjore për tenderin dhe të arrestuarit janë vetëm zyrtarë të ministrisë së Brendshme.
Pikërisht një muaj pas dyshimeve të Ardi Veliut, më 10.09.2020 është lidhur kontrata mes Policisë së Shtetit dhe Bashkimit te Operatorëve Ekonomikë, përfaqësuar nga përfaqësuesi ligjor, Ismail Kadiu me objekt “blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve për Policinë e Shtetit” me vlerë afërsisht 1,8 miliardë lekë.
Pak ditë më parë, me urdhër të SPAK, policia arrestoi 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme në lidhje me tenderin abuziv për uniformat e policisë. Ky tender është refuzuar të firmoset nga një anëtare e Komisionit dhe një anëtar i prokurimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.