Drejtësia

Tenderi i uniformave, lirohet nga burgu ish-zyrtarja Edlira Naqellari

Gazeta Si - Ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari është liruar nga burgu, pasi i ka përfunduar dënimi.

Në dhjetor 2021, Naqellari u shpall fajtore për shkelje në tenderin e uniformave të policisë me vlerë prej 2.8 miliardë lekë.

Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata e Posaçme e dënoi atë me 1 vit burg për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera”.

Sipas Prokurorisë, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme shpallën fituese një kompani që nuk plotësonte kriteret. Gjithashtu abuzime u konstatuan edhe me çmimet e veshjeve.

Bashkë me Naqellarin fajtorë u shpallën edhe 9 zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme.

Naqellari u dënua me një vit burg bashkë me Flutura Çekrezin, ndërsa me nga 10 muaj u dënuan Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri dhe Maringlen Buzali.

Po ashtu, janë liruar me kusht Anisa Bogdani, Ani Omuri, Aurora Mulla, Klevis Hasani dhe Gëzim Mingaj.

Gjykata vendosi që shtetasi Klevis Hasani është i detyruar të kryejë 80 orë punë në interes publik dhe kjo punë duhet kryer brenda afatit prej 6 muajsh që nga dita e marrjes së vendimit formë të prerë.

Këta persona e kanë të pamundur për të ushtruar funksione publike për një afat 5-vjeçar.

Dhjetë zyrtarët u arrestuan për abuzime me tenderin 2.8 miliardë lekë të uniformave të Policisë së Shtetit, të cilët u akuzuan për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.

Abuzimet me tenderin e uniformave të Ministrisë së Brendshme janë konstatuar në raport me cilësinë, sasinë dhe çmimin e uniformave.

Skandali i tenderit të uniformave u denoncua nga partitë e opozitës, me në krye ish-deputetin demokrat Myslim Murrizi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë