Lajme

Qendro: Banesat që preken te Unaza e Re do të rivlerësohen

ARRSH, Bashkia e Tiranës dhe policia rrugore, në kuadër të projektit të Unazës së Re, kanë hartuar një plan për menaxhimin e trafikut në këtë zonë ku do të kryhen punime.

Në një deklaratë të përbashkët për mediat, drejtori i ARRSH-së, Afrim Qendro, u shpreh se duke filluar nga janari, aksi që nis nga sheshi Shqiponja deri te ShkollaTeknologjike do të jetë me tre korsi. Ai po ashtu bëri me dije se sheshi ‘Shqiponja’ nuk do të jetë më rrethrrotullim, por një gjysmë unaze.

“Ne do të fillojmë me kantierin. Kantieri ka dy faza. Ne kemi ditë që po punojmë me policinë dhe sektorin e transportit në bashkinë e Tiranës. Kemi pasur dhe bashkëpunim me inxhinierët e kompanive. Do ketë tre korsi, në ikje dhe në ardhje duke nisur nga muaji janar. Do funksionojnë të gjithë semaforët. Te sheshi ‘Shqiponja’ s’do e kemi më rrethrrotullim, por do kemi një gjysmëunazë. Në asnjë moment trafiku për përdoruesit e rrugës dhe qytetarët, s’do jetë i bllokuar gjatë kësaj kohe që do bëhet projekti. Do ketë një vështirësi trafiku,dhe për këtë policia ka marrë të gjitha masat. Për mjetet e tonazhit të lartëdo të ketë një orar”, u shpreh Qendro.  

Qendro gjithashtu u shpreh se do të bëhen të gjitha vlerësimet e objekteve për të dëmshpërblyer qytetarët. 

“Do të ngrihen grupe pune për të vlerësuar banesat dhe do të bëhen publike në media. Për banorët e prekur do të ketë bonus qiraje për tre vjet dhe kredi të buta për shtëpi.  Ka shumë objekte që nga verifikimi mund të riformatohen. Në këto raste në bazë të ligjit do të bëjmë vlerësim bashkë me qytetarët e objektit, ku do të jepet aprovim që kjo banesë mund të qëndrojë në këmbë, që do të thotë pjesa që preket do të prishet dhe pjesa që mbetet do të vijojë të qëndrojë. Por kjo do të jepet nga inxhinieri. Nuk do të skualifikohet pjesa që mbetet, por do të ketë njërivlerësim të godinës nga inxhineri në bashkëpunim me hipotekën”, pohoi ai.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë