Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, nga Komisioni i Ekonomisë ku ishte i pranishëm për projektbuxhetin, ka komentuar edhe temën e nxehtë të prishjes së banesave në zonën e Astirit. Ai theksoi se nuk do të ketë prishje pa dalë më parë vendimi i Këshillit të Ministrave për dëmshpërblimet e banorëve.
“Projekti ka qenë i konceptuar që në 1989, dihet gjurma e kësaj unaze, është bërë brenda parametrave teknikë. Projekti vijon gjurmën e nisur. Është autostradë e karakterit urban dhe nevoja që ky projekt ka pasur për rrugë paralele është pasi nuk mund të bëjmë unazë që ndan qytetin në mes pa krijuar lidhje. Projekti është i komplikuar dhe i shtrenjtë. Është i plotë dhe me parametra jashtëzakonisht të mirë. Do të qëndrojë për 100 vitet e ardhshme. Ka pasur një spekulim të madh politik, nuk ka filluar proces prishje, gjithçka është e stisur. Nuk ka pasur procedurë njoftimi për banorët.
Nuk ka prishje pa një vendim të Këshillit të Ministrave për shpronësimet. Do të dalë vendimi për 123 banesat me vërtetim pronësie, pasi të alokohen fondet do të fillojnë shpronësimet, më pas pastrimi edhe nga ndërtimet pa leje. Personat pa dokumente do të trajtohen tre vite me bonus qiraje. Kantieri është ngritur në trojet shtetërore. Tendenca për të bllokuar punimet është proces i stisur. U bëj thirrje banorëve që të bashkëpunojnë, pasi çdo proces është legal. Sot do të shpallet lista e inxhinierëve që do të merren me vlerësimin e pronave”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.