Lajme

“Unaza e Re”, Vasili denoncon tenderin: 1 km rrugë, 18 mln euro!

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka denoncuar atë që e quan “vjedhje gjigante” me tenderin për “Unazën e Madhe” të kryeqytetit.

Vasili thotë se është jashtë çdo kriteri ekonomik ndërtimi i 2.2 klm rrugë me vlerën e 40 milionë eurove.

“Vjedhje gjigande dhe kriminale me tenderin e rrugës te Unaza e Re. Prokuroria të mos bëhet palë me megahajduterinë. Tre tendera për 2.2 km rrugë, 40 milionë euro për 2.2 km rrugë nga Pallati me Shigjeta tek sheshi Shqiponja. Dhe në çdo ofertë vetëm dy konkurrues dhe gjithmonë i dyti nga konkurruesit e ka ofertën ZERO lek. Pra gara ishte shitur në mënyrën më të turpshme dhe më korruptive. Një korrupsion i tillë i pafytyrë është kaq i qartë, kaq kriminal, kaq i pacipë siç është fytyra e hajdutërisë së shfrenuar të kësaj qeverie dhe këtij kryeministri”, shkruan Vasili në Facebook.

Sipas tij me këtë tender “të vjedhur e manipuluar sheshit”, çmimi për 1 km rrugë shkon në më shumë se 18 milion euro.

Vasili akuzon edhe prokurorinë duke thënë: “Si s’ka turp Prokuroria që hesht. Është qartësisht palë me këtë vjedhje të qeverisë”.

“Prokuroria duhet te kishte filluar me kohe hetimin kryesisht pas denoncimeve publike me dhjetëra fakte skandaloze. Prokuroria te ndahet një here e mire sa s’është shume vone nga vjedhja kriminale e qeverise”, thotë kreu i Grupit të LSI.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë