Lajme

“Unaza e Re” prek 424 objekte, ZRPP: Ndihmë për çdo banor

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka ngritur një grup pune prej 11 juristësh e hartografësh për trajtimin e praktikave dhe kërkesave që kanë banorët që preken nga projekti i Unazës së Re, po ashtu i është përgjigjur në kohë të gjitha kërkesave të banorëve të prekur dhe ARSH e ALUIZNI-t lidhur me pronësinë e zonave ku kalon gjurma e projektit.

Kështu deklaroi sot kryeregjistruesi Valdrin Pjetri në një deklaratë për mediat ku sqaroi se është verifikuar gjurma e këtij projekti e cila prek 4 zona kadastrale dhe 424 pasuri.

“Nga projekti preken dy zona rurale: Zona Kadastrale 3866 (Yzberish) dhe Zona Kadastrale 2679 (Mëzez) si dhe dy zona qyteti: Zona Kadastrale 8210, që shtrihet nga sheshi Shqiponja deri tek lumi Lana dhe Zona Kadastrale 8310. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe që Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë është pjesë e grupit të përbashkët të punes ka identifikuar rreth 424 pasuri që prek projekti.

Pjetri sqaroi gjithashtu se në Zyrën e Regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme Tiranë aktualisht po trajtohen 11 leje legalizimi, të ardhura nga ALUIZNI, të cilat do të pajisen me kartele pasurie brenda ditës së sotme.

“Çdo banor i zonës së Unazës së Re, që ka nevojë për shërbime nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tirane, mund të paraqitet në çdo moment në zyrën tonë. Tashmë ne kemi hapur një sportel të dedikuar vetëm për banorët e Unazës së re, të cilët do të marrin shërbim brenda ditës. Grupi i Punës i ngritur në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë do të punojë edhe me orare të zgjatura me qëllimin ofrimin e shërbimit për banorët e Unazës së Re, të cilët preken nga projekti”, sqaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë