Lajme

Unaza e Re, PD: Aferë korruptive, 18 mln € pronarëve të panjohur

Banorët e Astirit po protestojnë prej ditësh, pasi rreth 400 banesa rrezikojnë të shemben në zonën e “Unazës së Re”. Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, në një dalje për mediat nga selia blu ka denoncuar sot aferën e madhe korruptive të qeverisë prej  18 milionë eurosh në segmentin e ri të “Unazës së Madhe” në Tiranë.

Ajo u shpreh se qindra familje tek Unaza e Re po protestojnë për braktisjen totale nga qeveria, e cila po u shkatërron shtëpitë pa u dhënë asnjë dëmshpërblim.

“Prej disa ditësh, qindra familje tek Unaza e Re, po protestojnë për braktisjen totale nga qeveria, e cila po u shkatërron shtëpitë pa u dhënë asnjë dëmshpërblim për llogari të një afere të madhe korruptive dhe klienteliste për rindërtimin e 3 segmenteve të Unazës së Re të Tiranës. Janë 40 milionë euro të shpërndarë praktikisht pa garë te tre kompani, të cilat janë shpallur fituese, sepse pjesëmarrësja e dytë në tender, nuk ka dhënë asnjë ofertë”, u shpreh Zhupa.

Sipas Zhupës “Unaza e Re” është një aferë korruptive që i jep 18 milionë euro një kompanie guaskë, me pronarë të panjohur.

“Skandali i aferës tek Unaza e Re thellohet edhe më shumë nga shpallja fituese e bashkimit të një kompanie guaskë, DH Albania, pronarët e së cilës janë të panjohur, me një kompani shqiptare, BIba X, që vazhdimisht ka qenë nën sekuestro për mosshlyerje borxhesh. Ky konsorcium ka fituar pjesën e luanit në tender, 18 milionë euro”, tha ndër të tjera Zhupa.

Më tej, Zhupa rendit dhe faktet që dëshmojnë aferën korruptive të tyre.

Kompania Dh Albania është krijuar në korrik të këtij viti, një muaj e gjysëm para hapjes së tenderit.

Kompania mëmë e saj është kompani e regjistruar në parajsë fiskale, me pronarë të panjohur.

Kompania biba X ka nuk ka përvojë në ndërtim rrugësh, aktivitet të cilin e ka shtuar pak para së të shpallej fitues i tenderit.

Kompania Biba X, sipas të dhënave të medias, ka qenë nën sekuetstro edhe gjatë periudhës kur ka marrë pjesë në tenderin e Unazës së Re, në shkelje flagrante të ligjit të Prokurimeve Publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë