Lajme

“Unaza e Re”, Kryemadhi ultimatum Ramës: Nuk do tolerohesh

Protestës së banorëve që preken nga projekti i Unazës së Madhe sot i është bashkuar edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u shpreh se ky projekt po vjedh paratë e shqiptarëve. Ajo i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të tërhiqet nga vendimi për projektin.

Gjithashtu, Kryemadhi thekson se me projektin për Unazën e Re, Rama po përdor dy standarde. Ajo i bëri thirrje kreut të qeverisë që mos t’u afrohet banesave të qytetarëve sepse nuk do të tolerohet.

“Projekti është një projekt që vjedh pronën e shqiptarëve, paratë e shqiptarëve dhe mbi të gjitha tregon që është jo vetëm i papërgjegjshëm, por edhe kriminal. EdiRama ka dy standarde, standardin për klientët e vet që u mbush xhepat dhe i përdor për të pastruar paratë dhe standardin e fukarenjve që i nxjerr jashtë.

Ky njeri duhet ta kuptojë se shqiptarët e toleruan me votën. Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu, Agruan Duka etj, e toleruan me votë dhe me fjalimet e tij. Po i bëj thirrje atij, Afrim Qendros dhe tre kompanive që janë të lidhura me krimin. Mos guxojnë t’u afrohen banesave të qytetarëve.

Sot këta qytetarë nuk kanë për të toleruar, Edi Ramën jo e jo, le të fshihet aty në bunkerin e Surrelit. Këta që guxojnë që mashtrojnë dhe që spostojnë rrugën për të përfituar klientët dhe firmat e ndërtimit që pastrojnë paratë e drogës dhe të shkatërrojnë shtëpitë e fukarenjve, kjo nuk do tolerohet.

Nuk ka njeri që është kundër rrugës, të gjithë jemi pro rrugës. Ky njeri duhet t'i dëmshpërblejë sepse këta njerëz kanë 22 vjet që paguajnë taksa.

Ju bëj thirrje të gjitha grave dhe nënave të Tiranës, të bëhen suport i grave dhe nënave të Unazës së Madhe”, tha ndër të tjera Kryemadhi.

Po ashtu, ajo u shpreh se ky projekt ka ekzistuar që kur ishte deputete, por projekti i vërtetë ka qenë 3 metra rrugë për makinat dhe jo 20 metra.

“Në kohën që kam qenë unë deputete projekti ka ekzistuar, siç është ky projekti këtu me një rrugë dytësore tre metra dhe me një trotuar që është aktualisht. Pra, projekti i vërtetë është tre metra rrugë për makinat, nuk ka pasur projekt për të kaluar 20 e ca metra. Është mashtrim. Edhe shtrati i Lanës spostohet për të prishur shtëpi dhe jo aty ku toka është bosh”, u shpreh Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë