Lajme

“Unaza e Re”, banorët largojnë ekipet e vlerësimit të ARRSH

Ashtu siç ishte paralajmëruar, mëngjesin e sotëm punonjësit e ARRSH-së dhe të bashkisë kanë dalë në terren për të hequr shtyllat e ndriçimit dhe pemët në të dyja anët e rrugës ku do të kalojë segmenti i “Unazës së Re”. Në terren ishin 4 grupe vlerësimi nga ARRSH, të cilët do të bëjnë matjet nga e para për të përcaktuar vlerën e shpronësimit për ato objekte që janë me leje.

Por, punonjësit e bashkisë kanë ndërprerë punën për heqjen e shtyllave pas kundërshtimit të banorëve të Astirit, por bashkë me ta, protestuesit kanë larguar edhe grupet e vlerësimit të ARRSH-së.

Banorët kërkojnë me ngulm që të tërhiqet qeveria në vendimin për prishjen e banesave pa dëmshpërblyer më parë bizneset dhe shtëpitë në vlerën e tregut.

ARRSH është shprehur edhe më herët se banorët që kanë shtëpitë me legalizime do të kompesohen, ndërsa pjesa tjetër që është në proces, do të përfitojë bonus qiraje për tre vite nga Bashkia e Tiranës.

Lidhur me zhvillimet e ditës së sotme në zonën e Astirit, ku banorët të revoltuar larguan ekipet e vlerësimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguar përmes një njoftimi shpërndarë mediave.

Në njoftimin e ARRSH-së thuhet se grupet e vlerësimit kanë mbërritur sot në ato objekte banorët e të cilëve kanë depozituar pranë këtij institucioni dokumentacionin e pronësisë dhe kanë kërkuar të vazhdohet me verifikimet dhe procedurën e shpronësimit, ndërsa janë penguar nga banorë të tjerë të zonës, që nuk kanë lidhje me objektet, të cilat po verifikohen.

“Gjatë punës në terren banorë të tjerë të zonës, që nuk kanë lidhje me objektet, të cilat po verifikohen, kanë penguar me dhunë inxhinierët në ushtrimin e detyrës. Ata kanë dhunuar edhe mjediset private të banorëve me dokumentacion pronësie, të cilët kanë qenë të pranishëm dhe të gatshëm për verifikimin e banesës në funksion të shpronësimit. Ky grup banorësh lëviz në segmente të ndryshme të unazës, duke penguar inxhinierët në kryerjen e detyrës, pavarësisht se nuk kanë lidhje me objektet, të cilat po verifikon ARRSH. Në këtë formë, këta individë po mohojnë të drejtën e pronarëve të ligjshëm për një proces verifikimi të banesave të tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftime ARRSH-së.

Sipas një deklarate tjetër të ARRSH, gjatë ditës së sotme, u bë e mundur që në të tre lotet të kryhet verifikimi i 17 objekteve, ose thënë ndryshe 31% e totalit të atyreqë deri më tani kanë dorëzuar dokumentet në ARRSH.

Ndërkaq, ARRSH deklaron se në ditët e ardhshme do të vazhdojë ky proces verifikimi për të gjithë banorët që kanë depozituar dosjet në këtë institucion.

“U bëjmë thirrje edhe banorëve të tjerë që disponojnë dokumente pronësie t’i depozitojnë ato sa më shpejt pranë zyrave përkatëse në Autoritetin Rrugor në mënyrë që të vazhdohet pa vonesa me vlerësimin, evidentimin, bërjen gati të Vendimit të Këshillit të Ministrave për procedurën e shpronësimit të tyre.

Procesi i verifikimit dhe vlerësimit të pronave për procedurën e shpronësimit është një detyrim ligjor i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Rrjedhimisht, çdo përpjekje për të penguar këtë proces përbën pengim të punonjësve shtetërorë në ushtrimin e detyrës, ashtu sikurse mohim të të drejtës së pronarëve të objekteve për vlerësimin e shpronësimin e drejtë të tyre”, ka deklaruar pasditen e sotme ARRSH.

Projekti i zgjerimit të “Unazës së Re” prek rreth 317 banesa, një pjesë e konsiderueshme e tyre pa leje. Prej 23 ditësh banorët protestojnë dhe kërkojnë më parë të shpronësohen edhe për banesat që janë në proces legalizimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë