Lajme

“Unaza e Madhe”, Rama: S’ka legalizim për zaptuesit

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes në Kryeministri, pasi dëgjoi disa nga rastet që kanë gjetur zgjidhje përmes platformës “shqipëriaqëduam.al”, preku edhe temën e nxehtë të prishjes së ndërtimeve të ligjshme e të paligjshme në zonën e Astirit, që preken nga projekti i Unazës së madhe.

Kryeministri Rama theksoi ndër të tjera se Shqipëria nuk do të mbetet peng i atyre që kanë ardhur nga vend e pavend për të gjetur strehë vend e pavend në kryeqytet, duke zaptuar tokat e të tjerëve e duke ndërtuar pa leje.

Mes të tjerash, kreu i qeverisë sulmoi edhe opozitën, duke shtuar se asaj i ka ngelur vetëm flamuri i grisur.

Ai këmbënguli se projekti do të vijojë dhe se do të dëmshpërblehen të gjithë ata që kanë shtëpi të ligjshme, por që preken nga plani i restaurimit të Unazës së Madhe, ndërsa ata që janë me banesa të paligjshme do të përfitojnë lehtësira të tjera.  

 “Pa asnjë gajle bllokojnë qarkullimin dhe natyrisht janë shprehja më spektakolare e një degradimi total të të menduarit shoqëror dhe politik të këtij vendi. S’po zgjatem. Por meqë folëm për legalizim, thashë ta sqaroj. Por që të kesh aplikuar në legalizim, s’do të thotë se je legalizuar. Nëse shtëpia jote bie mbi shtratin e lumit, mbi tubacionet e ujësjellësit/kanalizimit dhe kështu me radhë. Janë qartësisht të përcaktuara në ligj që e bëjnë të qartë këtë gjë. Një godinë nuk mund të kthehet në pronë të ligjshme kur cenohet prona e ligjshme e përbashkët. Ka një abuzim të madh me këtë koncept. Nuk është e njëjta gjë që të kesh ndërtuar një shtëpi për të futur kokën në një territor ku s’je bërë pengesë dhe të ndërtosh kate të tëra për biznes në shtratin e rrugës dhe të pretendosh pas 15 vitesh dëmshpërblim 100%. Po për çfarë? Kundrejt të drejtës morale të atyre që jo vetëm që s’kanë zaptuar, por kanë respektuar dhe kanë paguar taksat. Duhet të marrim para nga buxheti për të dëmshpërblyer zaptuesit profesionist? Jo, kjo është e papranueshme dhe nuk gëlltitet në asnjë formë. Thirrja ime është që ata njerëz të largohen nga rruga për t’i hapur rrugë zhvillimit dhe mos të turpërojnë dhe të bëhen gazi i botës dhe ‘mish për top’ të atyre që s’u ka ngelur asgjë në shpirt dhe u ka ngelur një flamur i grisur dhe bëjnë opozitën”, u shpreh kryeministri Rama.

Ndërkohë, përmes një postimi në “Twitter”, kryeministri u është përgjigjur me ironi edhe akuzave të opozitës lidhur me vlerën e kilometrave të rrugëve.

Ai shkruan se vlerat për kilometër variojnë sipas përmbajtjes së projektit dhe se çmimet dalin nga një manual standard.

“Dikush duhet t’u shpjegojë ingjinjerave të pdlsi dhe të kazanit plot me kadrinj se km e rrugëve nuk janë si metrat e teritalit që blinin në MAPO dikur për pantallonat e tyre! Vlerat për km variojnë sipas përmbajtjes së projektit e çmimet dalin denbabaden nga një manual standard”, shkruan Rama në “Twitter”.

 

Më Shumë