Futboll

Ultrasit gjermanë djegin Napolin, në flakë edhe një makinë policie

Gazeta Si – Tension i lartë dhe trazira në qytetin e Napolit para ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes ekipit vendës dhe Eintrahtit të Frankfurtit. Ultrasit e ekipit gjerman janë përleshur me policinë dhe kanë krijuar kaos, duke djegur makina.

Rreth 600 tifozë të Eintrahtit kanë mbërritur në Napoli, pavarësisht ndalimit të shitjes së biletave për rezidentët në Frankfurt. Ata kanë kaluar në qendër të qytetit dhe gjatë pasdites disa makina, përfshirë edhe një të policisë, kanë përfunduar në flakë.

Nga trazirat ne Napoli. Gazeta Si, 15 mars 2023

Agjentët e policisë kanë ndërhyrë me mjetet e nevojshme për të tilla raste. Janë dëmtuar po ashtu edhe disa lokale të zonës. Tifozët gjermanë janë shoqëruar më pas për në hotelin ku ata janë akomoduar. Situata është qetësuar tashmë, por trazirat e shkaktuara ishin vërtet të frikshme.

Gjatë rrugës, ndaj autobusëve me tifozët e Eintrahtit janë hedhur gurë dhe shishe nga ultrasit napoletanë. Xhami i njërit prej autobusëve është thyer. Disa grupe ultrasish të Napolit kanë provuar të sulmojnë ata gjermanë, por policia ka shmangur kontaktin mes tyre.

Një helikopter monitoronte situatën, që ishte shumë e tensionuar. Me tifozët e Eintrahtit ishin bashkuar edhe 250 ultras të Atalantës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë