Politike

Ultimatumi i Kim pasi falenderon Metën e Ruçin: Kushtetuesja të jetë gati brenda vitit

Ambasadorja e SHBA në Tiranë ka përsëritur thirrjen drejtuar të gjitha institucioneve që kanë në dorë plotësimin e Gjykatës Kushtetuese që të veprojnë që kjo gjykatë t’i rikthehet funksionit brenda këtij viti.

Yuri Kim ka reaguar përmes rrjeteve sociale me anë të një postimit të shkurtër duke falenderuar si Presidentin Ilir Meta, ashtu edhe kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi për zotimin, qartësinë dhe domosdoshmërinë që vendi të ketë sa më parë një Gjykatë Kushtetuese.

“Faleminderit Presidentit Ilir Meta dhe kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi që e bënë të qartë se ne duhet të kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionuese tani. Biem dakord! Duke pasur parasysh opinionin e Komisionit të Venecias këta dy udhëheqës duhet të punojnë me strukturat përgjegjëse urgjentisht që kjo të ndodhë para fundit të këtij viti”, shkruan Kim.

Deklarata e Ambasadores amerikane në Tiranë mbërrin pas shkresës që Presidenti Ilir Meta u dërgoi institucionet, ku shprehet pakënaqësinë e tij në lidhje me vonesat në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. Meta i cilëson këto vonesa të pajustifikueshme.

Gjithashtu, në daljen para mediave këtë të premte, Presidenti i kërkoi Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që ka për detyrë verifikimin e kandidaturave për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese që të tregojë se cilat institucione po vonojnë procesin përmes dorëzimit përtej afateve të informacioneve për kandidatët.

“Nga një vështrim rezulton që ka institucione që kanë vonuar informacionin për 8 muaj. Por edhe institucione të pavarura prej 5 muajsh. Janë të pafalshme. Afati është 3 muaj për verifikimin e një kandidati. Cilat institucione kanë vonuar procesin? KED duhet të raportojë në Kuvend e Presidencë për këto. Po ashtu Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk po punon me ritëm të plotë, pasi në Gjykatën e Lartë po presin mijëra dosje. Ka nevojë imediate për bashkëpunim”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë