Politike

Presidenti vërejtje për KED dhe KLGj: Çfarë po bëhet me gjykatat?

Presidenti Ilir Meta ka përcjellë këtë të mërkurë tek Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Kuvendi dhe Avokati i Popullit shqetësimin e tij mbi vonesat që i quan të pajustifikuara në plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

“Veprimtaria e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për fat të keq, nuk po ecën me ritmet e kërkuara duke sjellë të tjera vonesa të pajustifikuara në procesin e ringritjes dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, thotë Meta në shkresën drejtuar këtyre institucioneve.

Presidenti kujton se ngritja e këtyre dy institucioneve janë pjesë e 15 kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian për hapjen formale të negociatave të anëtarësimit, e që duhen plotësuar para se të vendoset për konferencën e parë ndërqeveritare në kuadër të këtyre negociatave.

Meta vëren se vonesat nuk janë thjesht burokratike, por ato rrezikojnë që edhe të cenojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve dhe besueshmërinë e institucioneve të reja të drejtësisë.

“Për më tepër, së fundmi KED-ja ka shfaqur disa problematika, të cilat mbartin me vete rrezikun që të vonojnë dhe/apo të cenojnë produktin e tij”, vijon kreu i shtetit.

Meta nuk ndalet më gjatë tek këto “problematika”, por ajo që dihet është se KED është vënë përballë një kërkese të ish-kreut të saj, Ardian Dvorani, që ka kërkuar rikthimin e tij në detyrë si anëtar i këtij institucioni. Dvorani e argumenton këtë kërkesë të tij duke pretenduar se as Kushtetuta dhe as ligji për organet e reja të sistemit të drejtësisë nuk mund t’ja ndërpresin mandatin 1-vjeçar si anëtar i këtij institucioni pas vendimit të KLGJ-së që deklaroi përfundimin e mandatit të tij si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Meta thotë gjithashtu se KLGJ po mban të bllokuar pa asnjë arsye procesin e plotësimit të Gjykatës së Lartë me 15 anëtarët e rinj. “Edhe pse kjo procedurë ka filluar nga KLGJ-ja përpara 1 (një) viti me vendim nr. 172, datë 11 shtator 2019, deri më tani kjo procedurë nuk ka përfunduar dhe asnjë shkak apo arsye nuk është dhënë përse po mbahet peng plotësimi i vendit të katërt në Gjykatën e Lartë, që duhet të plotësohet nga radhët e juristëve të spikatur”, thotë ai.

Presidenti thotë gjithashtu se ka kërkuar vazhdimisht informacion në lidhje me procesin e plotësimit të Gjykatës Kushtetuese edhe në KED, por se nuk ka marrë asnjëherë shpjegime se çfarë e ka penguar këtë institucion që të kryejë punën e saj gjatë kësaj kohe.

Meta thotë se vonesat e KLGJ për të ngritur Gjykatën e Lartë janë të papranueshme dhe të pamotivuara ligjërisht.

“KLGJ në mënyrë të pashpjegueshme dhe të pamotivuar ligjërisht nuk ka kryer shpalljen njëkohësisht të të gjitha vakancave përballë nevojës imediate të funksionimit të plotë të Gjykatës së Lartë dhe po në mënyrë të pashpjegueshme nuk duket se është angazhuar me të gjitha burimet për shqyrtimin me përparësi të kandidaturave për këto vende vakante të shpallura për aplikim”, shton ai.

Në lidhje me KED, Presidenti ka vërjejtje edhe me procedurat e ndjekura për shqyrtimin e kandidaturave. Meta thotë se KED e ka njoftuar se këtë të martë do të shqyrtojë gjetjet për katër kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese, përkatësisht Altin Binaj, Dedë Kasneci, Gentian Mete dhe Artan Spahiu, ndërsa gjashtë kandidatë të tjerë, Shaqir Hasanaj, Sonila Bejtja, Zhaklina Peto, Sergjio Mazniku, Sinan Tafaj dhe Eugen Papandile do të shqyrtohen në mbledhje të veçanta.

“Një gjë e tillë, përveçse do të sjellë implikime të forta ligjore për veprimtarinë e KED-së, krijon dyshime për një proces selektiv të paramenduar dhe vonesë të qëllimshme në këtë proces”, deklaroi Meta.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë