Arsim

Ulet mesatarja në disa programe bachelor, Kushi: Nuk ndryshojnë kriteret për mësuesinë

Pas mbledhjes së sotme të qeverisë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi zbuloi vendimin për disa ndryshime në kriteret e pranimit të studentëve. Këto ndryshime vijnë për disa nga programet e studimit të ciklit bachelor.
Maturantët që përfundojnë arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5, do të mund të aplikojnë për programe studimi të gjuhëve të huaja, si dhe për disa programe të tjera.
Këto ndryshime vijnë nisur nga shqetësimet e ardhura nga institucione të arsimit të lartë për kriteret e pranimit në këto programe.

“Për ata që synojnë të bëhen mësues mesatarja e pranimit në këto degë do të vijojë të jetë 7.5. Por për studentët e tjerë që synojnë të vijojnë studime për një tjetër profesion si përkthyes, psikolog, punonjës social, ciceron, historian, gjeograf, etj. kjo mesatare pranimi mund të jetë minimalisht 6,5.”,shpjegoi Kushi.
Sipas Kushit, ata që do të aplikojnë në këto programe studime do të pajisen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore me numër të veçantë matrikullimi.

Me këtë vendim mbahet e njëjtë dhe e panegociueshme mesatarja për pranimin në degët e mësuesisë për ata që synojnë të bëhen mësues. Ministrja shtoi se ky vendim pritet që të rrisë numrin e studentëve.
“Jemi duke finalizuar një paketë për të mbështetur programet e mësuesisë. Si programet prioritare edhe me reduktim tarifash edhe me përjashtim nga tarifa, apo mbështetje studentore. Javën e ardhshme besoj do ta kemi gati dhe do ta prezantojmë si një paketë të plotë për të nxitur sa më shumë të rinj e të reja që të vazhdojnë të studiojnë për mësuesi, por edhe për programe të tjera që janë prioritare për zhvillimin e vendit”,përfundoi Kushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë