Lajme

Ulen biletat e muzeve dhe parqeve arkeologjike, më tepër rregulla për këtë sezon

Sot Ministri i Turizmit dhe Mjedisit zoti Blendi Klosi së bashku me Ministren e Kulturës Elva Margariti kanë vizituar parkun arkeologjik të Bylisit. Në një takim me Komitetin e Turizmit të Qarkut të Fierit ata kanë premtuar se do të ketë ulje të biletave të muzeve dhe parqeve arkeologjike, kështu duke nxitur turizmin lokal, duke qënë se këtë vit pritet që turizmi të mos jetë si në vitet e kaluara prej goditjes nga koronavirusi dhe tërmeti i nëntorit.

Ministria e Kulturës, znj Margariti ka përmendur faktin se vitin e kaluar në Shqipëri ka pasur mbi 1 milionë vizitorë nëpër muze e parqe arkeologjike e përmes këtyre uljeve të çmimeve të biletave sipas saj mendohet që dhe ato site që nuk kanë qënë të vizituara të bëhen sa më shumë pjesë e paketave të operatorëve turistikë.

Krahas uljeve të biletave individuale, znj Margariti ka përmendur e shtimin e një kategorie të re “50 +”, e cila si paketë do jetë me vlerë për operatorët turistikë pasi do ketë ulje çmimesh për grupet me mbi 50 persona. Gjithashtu sipas Ministres së Kulturës është treguar fokus i madh dhe në pjesën e dixhitalizimit, ku falë tij një numër i madh biletash mund të aksesohen on line e me tarifa të ulëta.

Ministri Klosi i ka mëshuar gjatë mbledhjes me Komitetin e Turizmit të Qarkut të Fierit nxitjes së turizmit rajonal. Ai gjatë mbledhjes ka thënë, “...natyrisht duke qenë të parët që hapëm edhe kufinjtë dhe duke promovuar Shqipërinë Turistike në rajon të kemi më shumë mundësi që të përfitojmë një turizëm rajonal. I cili ka qenë jo aty ku duhet duke menduar që kemi shumë më tepër të ofrojmë turizëm për vëllezërit tanë të Kosovës, të cilët kanë qënë gjithmonë le të themi mbështetësi kryesor I turizmit të huaj që vinte në Shqipëri por po ashtu me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën, Bullgarinë dhe Turqinë...”

Ministri i Turizmit gjithashtu ka përmendur sistemin e ri të menaxhimit të vijës bregdetare. Përmes tij ai shpreson se vija bregdetare mund të mirëmenaxhohet më mirë si dhe mund të prodhojë më shumë para për Bashkitë e kështu mund të pastrohet më mirë, të mirëmbahet më mirë si dhe të shtohet siguria në këto plazhe.

Gjithashtu zoti Klosi ka përmendur se në këtë qark, pra atë të Fierit, si në shumë qarqe të tjerë që lagen nga deti është vijuar me ndarjen e përcaktimint të nje zone të gjelbër e cila do të jetë veçse për publikun pra nuk do të lejohen shezlllone dhe çadra nga operatorët privatë. Ndërkohë për ato zona që do të menaxhohen nga operatorët privatë, si psh hotelet, do iu tregohet më shumë rëndësi “Baywatch-eve”, kjo për të rritur sigurinë e pakësuar numrin e fataliteteve.

“Do të jetë një biznes I vështirë në vitin 2020, por në qoftëse ne ia dalim që të ofrojmë rregulla në plazh, të garantojmë higjenë, të garantojmë mbrojtje nga pandenmia mund t’ia dalim që përsëri të krijojmë një sezon të pranueshëm edhe në 2020-n, paçka se është vetëm një sezon mbijetese dhe për të gjitha këto besoj nën drejtim dhe të prefektit ne do të kemi dhe takime të tjera që do ta menaxhojmë ashtu sic duhet sistemin e garantimit të një sezoni turistik të pastër”, ka thënë zoti Klosi.

Foto nga mbledhja me Komitetin e Turizmit të Qarkut të Fierit

Në fund ministri i Turizmit i ka kujtuar qytetarët që të mos harrojnë të bëjnë aplikimin gjer më datë 15 qershor për poseidimin e stacionit të plazhit. Pas datës 15 qershor gjithë zonat që nuk do të jenë kërkuar të privatizohen gjatë sezonit turistik të verës do të kthehen publike.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë