Lajme

Ujërat ushqyes të Sllovenisë

Sllovenia është një vend i përcaktuar nga uji, me më shumë se 60 lumenj dhe përrenj, 300 liqene artificiale dhe natyrore dhe 7500 burime ujërash të ëmbla – secila prej të cilave është e mbushur me minerale dhe lëndë ushqyese

Ndërsa konsiderohet shpesh si një nga thesaret e fshehura të Evropës, njerëzit prej brezash me radhë kanë ardhur në Slloveni për t’u larë, notuar dhe pirë ujërat e saj rigjeneruese, të cilat kanë përfitime të ndryshme shëndetësore në varësi të vendit ku shkoni. Por çfarë lidhje ka peizazhi i këtij vendi që e bën ujin kaq të veçantë?
“Megjithë sipërfaqen e saj të vogël, Sllovenia ka diversitet të madh gjeomorfologjike,” thotë Borut Mavriç, biolog detar dhe ekolog në Institutin Kombëtar të Biologjisë në Ljubljanë.
“Ne kemi rajone alpine të larta, pllaja, fusha e ulëta Pannoniane, zona unike karstike dhe sisteme nëntokësore të zhvilluara mirë; secila prej këtyre ndikon në ujërat dhe jetën e egër që ju gjeni këtu”, thotë Mavriç.

Biodiversiteti dhe pishinat me kripë në brigjet e Sllovenisë

Borut Mavriç, biolog detar

Specializimi i Mavriçit në biologjinë detare është diçka që buron nga pushimet e fëmijërisë në brigjet perëndimore të Sllovenisë. “Pjesën më të madhe të pushimeve e kaloja në det. Për mua kjo do të thoshte të ishe në ujë, snorkeling, zhytje e lirë dhe vëzhgim i botës nënujore. Kur kthehesha në shtëpi, e gjeja veten duke i ripërjetuar këto kujtime dhe duke ëndërruar për verën tjetër – kur mund të kthehesha atje. Kjo sigurisht ndikoi në vendimin tim për t’u bërë biolog detar”, thotë Mavriç. Ai beson se kushtet specifike në këtë pjesë të Sllovenisë kanë rezultuar në përbërjen e saj të fortë mikrobiologjike. “Në bregun perëndimor ne kemi lumenj alpinë të gjallë që rrjedhin nëpër male, që takojnë Detin Adriatik, duke sjellë lëndë ushqyese – minerale – që mbështesin biodiversitetin e lartë”, shprehet Mavriç.
Vetëm një hedhje guri larg nga bregdeti, në Parkun Natyror Seçovlje Salina, do të gjeni kriporet gjigande, prej nga ku sllovenët kanë prodhuar kripë për mijëra vjet. Edhe kjo zonë është e pasur me biodiversitet dhe shtëpi për rreth 300 lloje zogjsh.
“Në vjeshtë kjo zonë bëhet e gjallë me bimë të quajtura halofite, të cilat bëhen të kuqe pasi thithin azot nga toka – është spektakolare”, vazhdon Mavriç. Edhe vetitë e baltës janë tepër kurative, pasi janë plot me sulfite alkaline dhe substanca të tjera, për të cilat thuhet përmirësojnë kushtet e lëkurës, shërojnë dhimbjet e nyjeve dhe sëmundje të tjera.
Në Talaso Strunjan, rreth 15 minuta larg me makinë, mund të gjeni trajtime SPA të ndryshme. Shumica e tyre përfshijnë terapistë ekspertë që ju mbështjellin në baltëra të ngopura me minerale të marra në zonën përreth.

Aventurë aktive dhe relaksim mendor në liqene

Sara Isakoviç, notare, medaliste olimpike

Duke shkuar drejt Lindjes, do të gjeni disa nga liqenet më të famshëm të Sllovenisë, përfshirë Liqenin Bohinj, i cili është një vend i preferuar për notaren dhe medalisten olimpike, Sara Isakoviç.
“Liqeni Bohinj është vërtet i veçantë”, thotë ajo. “Është liqeni më i madh në Slloveni dhe është gjithashtu shumë më i qetë se liqenet e tjera. Kjo natyrë e bukur është vetëm një orë larg Ljubljanës sonë të zhurmshme dhe kjo e bën vërtet të veçantë”, shprehet Isakoviç.
Marrëdhënia e Isakoviçit me ujin shkon pak më përtej se shumica e sllovenëve. Deri vonë, ajo ka qenë anëtare e ekipit kombëtar të notit, fituese e një medaljeje argjendi në Lojërat e Pekinit dhe përfaqësuese e Sllovenisë në Londër 2012. Ndërsa tani Isakoviç punon si trajnere e mirëqenies mendore.
“Që kur isha dy vjeç e gjysmë, fillova të notoj dhe menjëherë rashë në dashuri me ujin. Kur isha një vajzë e vogël, dikur pretendoja se isha sirenë dhe mendoj se akoma bëj si e tillë ndonjëherë … Për mua është vendi më meditues ku mund të jem. Mund ta stakoj mendjen, ndërsa dëgjoj zhurmën e flluskave teksa marr frymë kur notoj”, thotë ajo.
Si dikush e interesuar profesionalisht për mendjen e njeriut, Isakoviç vlerëson përfitimet që uji ka për shëndetin tonë mendor. “Sipas mendimit tim, uji ka një efekt vërtet pozitiv në mirëqenien tuaj mendore – një efekt meditues. Pavarësisht nëse e dëgjoni atë ose e vëzhgoni atë, ju inkurajon të jeni vërtet të ndërgjegjshëm, thjesht duke parë mënyrën se si lëviz – nëse është një lum apo ujëvarë. Në këtë kuptim është vërtet shërues”, thotë Isakoviç.

Ujërat termale të pasur me minerale

Të zhytesh në banjat termale në Moravske Toplice

Përveç biodiversitetit dhe mirëqenies mendore, Sllovenia është shtëpi e burimeve të shumta natyrore termale. “Çdo llixhë ka një burim unik të ujit mineral termik, me vetitë e veta të dallueshme,” thotë Dr.Tanja Rauter Pungartnik, eksperte rehabilitimi dhe e shëndetit në “Sava Resorts”.
“Në Radenci për shembull – në Verilindje të vendit – uji ka përqendrimin më të lartë me karbon në Evropë, i cili mund të ndihmojë në zbutjen e problemeve shëndetësore si qarkullimi i ulët i gjakut. Ndërkohë në Moravske Toplice – në Lindje – uji quhet “ari i zi” për shkak të ngjyrosjes së tij të errët. Uji atje buron nga burimet nëntokësore në lartësi 967 deri 1.467 metra, në pellgun Mura-Zala – është i ngrohur natyralisht dhe i mbushur me minerale për të cilat thuhet se përmirësojnë qarkullimin, zvogëlojnë ënjtjen në nyje dhe forcojnë sistemin imunitar”, thotë Dr.Tanja Rauter Pungartnik.

Dr.Tanja Rauter Pungartnik, eksperte rehabilitimi dhe e shëndetit

Edhe interesi profesional i Rauter Pungartnik për ujërat termale të Sllovenisë buron nga një pasion i saj qysh prej fëmijërisë: “Që kur isha vajzë e vogël ëndërroja të bëhesha mjeke. Jetonim pranë një kompleksi llixhash dhe ky ishte një frymëzim i shkëlqyer për mua. Ndihma për njerëzit në çfarëdo mënyre është ndjenja më e madhe në botë. Të shohësh pacientë që largohen me më pak ose pa dhimbje ose shëndet më të mirë është e paçmueshme”, thotë ajo. “Kur pacientët vijnë për t’u vizituar tek unë, u përshkruaj një program trajtimesh, bazuar në nevojat e tyre. Në mëngjes ata mund të lahen në ujë dhe pasdite mund të kenë trajtime balte”, thotë ajo.

Të pish shëndetin… Burimet e bollshme të Sllovenisë

Nuk duhet patjetër të lagesh për të përfituar nga ujërat e shëndetshme të Sllovenisë. Me më shumë se 7.500 burime në të gjithë vendin, gjithnjë do të keni pranë të paktën një burim natyror uji.
Në malet që rrethojnë Luginën Soça, uji del i freskët nga malet, ku kalon vite duke u filtruar nëpër shtresa të shumta shkëmbore. Mund të ndjekësh një nga dhjetëra shtigjet e ecjes që përshkojnë këtë zonë dhe mund ta mbushësh shishen me ujë të pijshëm direkt nga burimi.
Ndërkohë, në kryeqytetin Ljubljanë, ka nga një shatërvan me ujë të pijshëm në pothuajse çdo cep rruge – edhe këtu uji është i freskët dhe plot me minerale.

Iztok Altbauer, drejtor i Shoqatës Sllovene të SPA-ve

Në Rogashka Slatina, rreth 90 minuta larg Ljubljanës, uji njihet si Donat Mg dhe bën më shumë sesa të shuajë etjen. “Donat Mg ka përqendrimin më të lartë natyror të magnezit në botë”, thotë Iztok Altbauer, drejtor i Shoqatës Sllovene të SPA-ve. “Asnjë ujë tjetër nuk ka më shumë se 1,040 mg magnez për litër; është një nga përbërësit që thuhet se përmirëson tretjen dhe sjell një larmi përfitimesh të tjera shëndetësore”, shpjegon Altbauer. “Njerëzit vijnë këtu prej shekujsh për të pirë këto ujëra minerale. Në fakt Donat Mg është aq i mirë për shëndetin, aq sa në Austri ai shitet nëpër farmaci”, thotë Altbauer.
Sidoqë të vendosni t’i eksperimentoni ujërat e Sllovenisë – nëse i pini apo nëse zhyteni në qetësinë e tyre – një gjë është e sigurtë: ky është një vend që ju ushqen mendjen, trupin dhe shpirtin./ NationalGeographic

Më Shumë