Futboll

UEFA-Juventus, lufta nuk ka përfunduar. Pritet përjashtimi nga kupat e Europës

Gazeta Si – Juventusi ka mbyllur llogaritë me Federatën Italiane të Futbollit, por pret sentencën e institucionit që drejton futbollin europian. Me shumë mundësi, do të jetë një vit pa kupa Europe për bardhezinjtë.

Lufta nuk ka përfunduar, përkundrazi, ende nuk ka filluar. Pasi mbylli kapitullin Itali me paktin që solli gjobën 718 mijë euro për manovrat e pagave dhe fijet e tjera të hetimit, Juventusi duhet të bëjë llogaritë me UEFA-n. Si organ i pavarur, ajo ka hapur një hetim për klubin italian, që do të vlerësohet ditët e ardhshme.

Çështja është kjo: Juventusi, ashtu si Milani, Interi dhe Roma, ka firmosur disa muaj më parë një ‘settlement agrement’ me UEFA-n, sepse ‘Fair Play Financiar’ nuk ishte në rregull. Sentenca në lidhje me bilancet fiktive do të thotë shkelje e akordit me UEFA-n? Nëse përgjigja është pozitive, atëherë Juventusi përjashtohet të paktën një vit nga Europa. Është e paevitueshme.

Sentenca duhet të jepet brenda qershorit dhe nuk i lë të qetë bardhezinjtë. Në Torino presin një vit pa Europë dhe për ta kjo do të thotë limitim i dëmeve. Por UEFA mund të tregohet edhe më agresive për ta dënuar Juventusin me më shumë vite jashtë kompeticioneve të saj.

Në anën tjetër, në Nion mund të mjaftohen edhe me atë që ka vendosur drejtësia sportive italiane dhe ta ndëshkojnë Juventusin vetëm me gjobë, duke e lejuar skuadrën e Alegrit të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm në Ligën e Konferencës ose Ligën e Europës. Për momentin Juventusi ka shpëtuar atë që mund të shpëtohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë