Futboll

UEFA dhe ECA letër Europës: Jo tituj tani, përfundoni kampionatet!

Vendimi i Federatës së Belgjikës për të mbyllur kampionatin dhe për t’i dhënë titullin Bryzhit (pritet zyrtarizimi) ka vënë menjëherë në lëvizje institucionet që drejtojnë futbollin europian. Një letër e gjatë me firmën e Aleksandër Ceferin, presidentit të UEFA-s, dhe Andrea Anjelit, presidentit të ECA-s dhe Juventusit, u është drejtuar të gjitha federatave, të gjitha ligave dhe klubeve të Europës.

"Çdo vendim për të anuluar kampionatet kombëtare në këtë moment është i nxituar dhe i pajustifikuar”. Ky është qëndrimi i drejtuesve të UEFA-s dhe ECA-s ditën kur Belgjika njoftoi se do të mbyllë kampionatin, duke i dorëzuar titullin kampion Bryzhit. Por situata mund të ndryshojë, sepse UEFA dhe ECA i paralajmërojnë federatat dhe ligat se "një titull i dhënë pa u mbyllur kampionati, mund të krijojë paragjykime në pjesëmarrjen e skuadrave në Kupat e Europës”. Praktikisht, nëse Europa kthehet të luajë për të mbyllur kampionatet dhe Belgjika e mbyll këtu, Bryzhi mund të përjashtohet nga Championsi i sezonit të ri. Një mesazh për të gjithë.

"Qëllimi është që të mbyllet sezoni me rezultate natyrale në fushë, të gjithë duhet të bëjnë atë që është e mundur edhe në një situatë të paprecedentë si kjo pandemi. Janë impenjuar dy grupe pune që po merren me kalendarët, me çështjet ligjore dhe financiare për të shtyrë mbylljen e sezonit përtej 30 qershorit”, - shkruhet gjithashtu në letrën drejtuar federatave dhe klubeve. UEFA kërkon me çdo kusht që të përfundojnë kampionatet kombëtare, ndaj dhe ka shtyrë ndeshjet e kompeticioneve europiane pas tyre. Mbyllja e sezoneve aktualë duhet të koordinohet edhe me fillimin e sezonit të ardhshëm.

Gjithsesi, mundësitë janë që shembullin e Belgjikës ta ndjekin edhe kampionate të tjerë, duke parë situatën aktuale. Shëndeti është parësor, pavarësisht “presionit” të UEFA-s dhe ECA-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë