Futboll

UEFA detyron Ajaksin të modifikojë fanellën e frymëzuar nga Bob Marley

Ajaksi nuk mund ta përdorë fanellën e tretë, që është frymëzuar nga Bob Marley, për ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Të paktën jo atë origjinale që ka prezantuar gjatë javëve të fundit. Klubi holandez, që luajti të shtunën kundër Zwolle për herë të parë me këtë fanellë, që është frymëzuar nga kënga “Three Little Birds” e këngëtarit të njohur, duhet të bëjë modifikime për të pasur mundësinë ta veshë edhe në Kupë.

UEFA e kishte ndaluar Ajaksin për të përdorur uniformën e tretë për sfidat europiane për një detaj në pjesën e pasme të fanellës. Pak poshtë qafës fanella kishte në fillim tre “zogjtë” e ngjyrosur me të kuqe, jeshile dhe të verdhë, duke marrë spunto pikrisht nga titulli i këngës “Three Little Birds”, që në fundjavë u bë si një “himn” i holandezëve.

Sipas UEFA-s, tre “zogjtë” nuk janë konform rregullave, por “ndryshe nga sponsori dhe logoja e klubit”. Një vendim që ka sjellë shumë diskutime dhe që e detyron Ajaksin të zbresë në fushë me fanellën e tretë pa këto “simbole”.

Në sitin “Ajax Life” klubi për këtë çështje ka shpjeguar: “UEFA e konsideron si një shprehje ndryshe në raport me logon e klubit, me logon e sponsorit të veshjes dhe sponsorit të fanellës. Të tjera simbole në fanellë nuk janë të lejuara”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë