Gazeta Si – Ish-prokurorët Ferdinand Elezi dhe Gentian Osmani dhe ish-gjyqtari, Izet Kadana, të shkarkuar nga detyra nga procesi i Vetting-ut, fituan të drejtën për të kërkuar rikthim në sistemin e drejtësisë.
Gjykata Europiane e të Dejtave të Njeriut në Strasburg pranoi ankimin e bërë prej tyre kundër vendimeve respektive të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që i shkarkoi nga detyra. Për rastet Elezi dhe Osmani, Strasburgu ka konstatuar cenim të nenit 8 të Konventës, që flet për të drejtën për respektim të jetës private dhe familjare, duke arsyetuar se shkarkimi nga detyra kishte qenë joproporcional.
Ndërsa për rastin Kadana, cenim të nenit 6, që flet për të drejtën e një procesi të rregullt. Në këtë dritë arsyetimi, Gjykata Europiane detyron Shqipërinë të rihapë procesin e vetting-ut ndaj ish-prokurorëve Elezi e Osmani dhe ish-gjyqtarit Izet Kadana, nëse vetë ata e kërkojnë këtë gjë.
Për shkak se Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e vetting-ut ka pushuar së ekzistuari, nëse e ushtrojnë këtë të drejtë, rigjykimi do të bëhet nga Gjykata Kushtetuese. Referuar vendimeve të Strasburgut, për ish-prokurorin Ferdinand Elezi, i cili u shkarkua nga vetting-u për një deficit financiar prej 1 milionë lekësh, Strasburgu konstatoi se deficiti ishte i papërfillshëm, se llogaritjet e bëra ishin të pabazuara e madje se nga analiza financiare e përgjithshme një tepricë prej 4 milionë lekësh, që e tejkalonte deficitin e gjetur.
Gabime në analizat financiare të bëra nga vetting-u, Strasburgu vërejti edhe në rastin e ish-prokurorit të Prokurorisë për Krimet e Rënda, Osmani.
Ndërsa për rastin e ish-gjyqtarin e Pukës, Kadana, Gjykata e Strasburgut konstatoi si problematikë kryesore praninë në trupën gjykuese ndaj tij në KPA të Luan Dacit, i cili rezultoi të ishte emëruar në shkelje të ligjit.
Në vendimet ndaj ish-prokurorëve Elezi e Osmani, Strasburgu detyron shtetin shqiptar t’i paguajë atyre përkatësisht nga 6 mijë euro për dëm jopasuror dhe nga 5 mijë euro për kostot dhe shpenzimet e procesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje