Drejtësia

U shkarkua nga Vettingu, prokurori Anton Martini akuzon shtetin dhe ndërkombëtarët

Një ditë pas shkarkimit nga detyra nga organet e Vettingut, prokurori Anton Martini ka akuzuar strukturat shtetërore për mënyrën “e pushkatimit” që i është bërë. Në një deklaratë për mediat, ai thotë se ndaj tij është bërë një padrejtësi e madhe.

“Dje nuk ishte një ditë e mirë për mua dhe familjen time. Padyshim, që isha i përgatitur edhe për këtë vendim, sepse kisha të gjithë të dhënat e nevojshme që po punohej fort dhe në mënyrë të kamufluar kundër meje. Me këtë, nuk dua ta mbivlerësoj për asnjë moment veten time, më besoni”, - shprehet Martini.

Martini lë të kuptohet se nuk është surprizuar nga ky vendim dhe shpreh zhgënjimin ndaj shtetit për të cilin, prej 23 vitesh punoi.

“Dje, shteti im më “pushkatoi” mua dhe familjen time, në mënyrë krejt të padrejtë e të pabesë, shtet për të cilin, prej 23 vitesh punova shumë fort, duke u munduar të ruaj e të mos cenoj për asnjë moment besimin ndaj qytetarëve të mi”. Duke shprehur mërzitjen e tij nga vendimi, ai ndihet i zhgënjyer edhe faktori ndërkombëtar.

“Dje, faktori ndërkombëtar dështoi të monitorojë procesin kompleks ndaj meje, rol të cilin parlamentarët e vendit tim, ua besuan nëpërmjet dispozitave kushtetuese. Jam sigurisht i mërzitur nga vendimi i djeshëm, por pavarësisht kësaj, dua që sot, të falënderoj çdo mik dhe bashkëpunëtor timin, që kam pasur ndër vite, me të cilët kemi ndarë orët e gjata dhe netët pa gjumë, për të punuar që ky vend të behej më i sigurt”.

Por prokurori është i bindur se nuk do ta ndalë betejën e tij ligjore.

Duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur, Martini ndan me publikun një bisedë me një mikun e tij në lidhje me këtë gjë.

“Dua ta mbyll me një pasazh nga një bashkëbisedim që pata mbrëmë në orët e vona, me një mikun tim të ardhur nga larg në shenjë solidariteti me familjen time në këto momente, i cili më pyeti: ‘këta që të kanë rënë në qafë ty dhe fëmijëve të tu, si mund t’i zërë gjumi të qetë’? – e si përgjigje nga unë, mori një shprehje biblike, e cila mu kujtua në çast: ‘Fali o Zot se nuk dinë çfarë bëjnë’!, - rrëfen Anton Martini.

Martini u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e Vettingut, por Komisioneri Publik e ankimoi vendimin në KPA, duke gjetur parregullsi në deklaratat e pasurisë së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë