Nga Gazeta ‘Si’- Xhiro e Italisë ka humbur një nga protagonistët kryesorë të saj që në etapën e parë që u zhvillua në vendin tonë.
Mikel Landa, spanjolli 35-vjeçar i cili ishte një nga kandidatët kryesorë për fitoren, u rrëzua pasi u përplas me një shtyllë në një kthesë të shpejtë pranë Freskut pak kilometra para fundit të etapës.

Ai nuk mund të lëvizte për shkak të lëndimit që pësoi në rrëzim ku u përplas me shumë forcë në trotuar, ndaj u desh transportimi i tij me barrelë me ambulancë.
Skuadra e tij, “ Soudal-Quick Step”, ka bërë të ditur në darkë se situata e Landa ishte problematike. Rezulton se ai ka pësuar një frakturë të vertebrës së toraksit T11. Si pasojë e këtij dëmtimi, ai duhet të qëndrojë për një kohë të gjatë në një pozicion përmbys apo në krah, para se të fillojë procesin e riaftësimit.
Kësisoj, është vendosur që Landa të kalojë si fillim natën e të premtes në spital në Tiranë, e më pas, gjatë ditës së shtunë do të shqyrtohen opsionet për të mundësuar kthimin e tij në shtëpi, sipas këshillave që japin mjekët specialistë përkatës për raste të tilla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.