Politike

U ngriti gishtin e mesit protestuesve, kreu i OSBE Borchardt kërkon ndjesë

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt i kërkon ndjesë publike në lidhje me gjestin e bërë ndaj disa protestuesve të zonës së Astirit që ishin mbledhur përpara drejtorisë së Policisë së kryeqytetit duke kërkuar lirimin e banorëve të kësaj zone. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, prezenca e OSBE-së thekson se ambasadori kërkon ndjesë nëse protestuesit janë fyer.
“Do të doja t’u kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer dje. Unë e respektoj të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht” – ambasadori Borchardt. Ky është reagimi i mbajtur nga ana e ambasadorit pas reagimeve të shumta të ardhura nga politikanë të opozitës dhe qytetarë të tjerë në lidhje me gjestin e bërë të dielën gjatë përballjes me protestuesit në rrugë përpara drejtorisë së Policisë.

Ambasadori Borchardt duke u treguar gishtin protestuesve


Mbrëmjen e së dielës, 13 tetor, Ambasadori i OSBE-së Berndt Borchard, i shoqëruar me bashkëshorten e tij, po dilte nga hyrja e një pallati tek "Myslym Shyri" ku banon, një grup të rinjsh, protestues afër Drejtorisë së Policisë thërrisnin "Rama ik! Rama ik!. Në një moment njëri prej tyre ka thënë "Shame on you" Ambasadori ka reaguar duke treguar gishtin e mesit, por pa kthyer kokën pas. Një veprim i tillë është përsëritur dhe një herë të dytë. Banorët e Unazës së Re të cilët vijuan mbrëmë protestën, kanë treguar përpara kamerave se janë ndjerë të ofenduar nga ky gjest.

Video e publikuar nga Syri.net, përballja me portestuesit dhe gjesti jo i hijshëm i ambasadorit


Në këtë video të postuar nga Syri.net shihet qartë gjesti i diplomatit. Kjo solli edhe reagimin e politikës shqiptare, të përfaqësuar të opozitës. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka qenë tejet i ashpër në reagimin e tij, duke e cilësuar ambasadorin edhe si “halabak” për gjestin e tij. “Jashtë nga Shqipëria Borchardt!!. Ky halabak, që guxon dhe u tregon gishtin e mesit shqiptarëve. Ky që qepi gojën për votimet puniste të 30 qershorit. Ky që mbylli gojën për raportin e OSBE -ODIHR për 30 qershorin.Ky që paturpësisht ndryshoi fjalën brenda natës për drogën që mbuloi Shqipërinë. Ky që në 2008 i bëri duart flake kur duartrokiste shkatërrimin e Kushtetutës dhe zgjedhjeve. Ky nuk është OSBE,ky nuk është Europa ky është thjesht një individ i akaparuar. Presim tani që Edi Rama t'ia marrë përqafë gishtin që ngriti Borchardt dhe t’i kërkojë atij ndjesë ,hë jepi Edi ç'pret?”, shkruan Vasili në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë