Lajme

U lëndua në protestë, Kryeredaktori i RD raporton te ‘Media’: U godita me shkop hekuri në kokë

Kryeredaktori i 'RD', Bledi Kasmi ka raportuar përpara Komisionit Parlamentar të Medias, për lëndimin që ai mori në kokë gjatë protestës së 26 majit të opozitës përpara Ministrisë së Brendshme.  

Janë shumë gazetarë të tjerë si puna ime që kanë qenë në vijën e parë të atij fronti. Nuk e di pse shkopi i gomës më zgjodhi vetëm mua, gazetarët kanë qenë në mes të protestuesve s'kishte kënd të përcaktuar për gazetarët dhe as një kordon të veçantë që të përcaktonte kufirin mes forcave speciale dhe policisë. Pasi kam vendosur duart tek barriera e hekurit, policia kishte marrë urdhër të shtynte barrierën dhe aty filloi...Kam marrë goditje në krahun e majtë dhe të djathtë të shpatullës...ajo që mund të ishte vdekjeprurëse nëse do ishte pak centimetra më lart, ishte goditja që mora në kokë, mund të më merrte shikimin. Kishim të bënim me një skemë të qartë nga ana e këtyre forcave për të më goditur.

Anëtari i forcave speciale që më goditi erdhi nga radha e dytë e forcave të policisë...erdhi nga pjesa e prapme dhe jo nga pjesa ballore. Dhe pasi më goditi ai u tërhoq, dhe korridori i policëve sërish e mbuloi atë për të mbuluar aktin e dënueshëm dhe barbar të asaj goditje nga ana e tij. 

Vizitën e Ardi Veliut e mora si një ndërhyrje për një lloj mirëkuptimi për atë që kishte ndodhur. Më tha për të pyetur për situatën shëndetësore, i shpjegova se u godita nga një shkop hekuri, ai ndërhyri dhe më tha që shkopi i gomës nuk shkakton shembje në kokë. Aty e kuptova që vizita e zotërisë nuk kishte për qëllim që të dënonte dhunën, të distancohej nga dhuna, por për të manipuluar të vërtetën. 

Kam qenë, jam dhe mbetem gjithmonë, gazetar, përpara se të jem anëtar i një partie. Do vazhdoj të jem i tillë sa kohë të kem mundësi fizike dhe mendore. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë