Motosport

U largua nga Ferrari pak javë më parë, David Sançez kalon te MekLaren

Gazeta Si – Ka gjetur menjëherë skuadër të re David Sançez, ish-drejtuesi i Ferrarit, përgjegjës për pjesën e konceptimit të makinës. Ai u largua pak javë më parë nga skuderia italiane pas më shumë se 10 vitesh punë në Maranelo.

Inxhinieri francez kishte shkuar te Ferrari nga MekLareni dhe është pikërisht kjo skuderi që e ka marrë sërish në kuadrin e ristrukturimit. Nga skuderia angleze është larguar Xhejms Kei dhe tani do të formohet një treshe e re drejtuesish.

David Sançez. Gazeta Si, 25 mars 2023

Përveç Sançez janë edhe Peter Prodromou në rolin e drejtorit teknik të aerodinamikës dhe Neil Houldei, drejtor teknik për dizajnin. Sançez duhet të kalojë një periudhë pauze pas dorëheqjes nga Ferrari dhe mund ta ushtrojë detyrën e re zyrtarisht më 1 janar të vitit të ardhshëm.

"Kjo strukturë e re na jep qartësi dhe efikasitet në repartin teknik të skuadrës, në bën më të fortë për të rritur paraqitjen tonë, - ka thënë Stela, një nga drejtuesit kryesorë të MekLaren. – Jam i lumtur për ardhjen e David Sançez për kompletimin e skuadrës së ekspertëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë