Rend dhe Ligj

U kap me 522 mijë euro të padeklaruara, shoferi i autobusit: Janë kursime të familjes

Gazeta Si - Elidon Çela, të cilit iu sekuestruan 522 mijë euro të padeklaruara në tentativë për t’i futur nga Italia në Shqipëri, thotë se sasia monetare ka origjinë të pastër.

Në dëshminë e tij, pronari i agjencisë së transportit ndërkombëtar të autobusëve, ka deklaruar se të ardhurat janë kursime të familjes dhe se vinin nga një biznes i pastër.

Çela ka pohuar para hetuesve se për këtë ai disponon edhe fatura. “Mallrat janë të emigrantëve që jetojnë në Itali, i deklarova në doganën e Barit. Paratë vijnë nga biznes i pastër. Ju vë në dispozicion edhe faturat. Kemi biznes, paratë janë kursime të familjes, do investoja në toka me qira dhe bujqësi. Askush nuk e dinte për paratë në autobus, kisha frikën e ndonjë grabitjeje”, mësohet të jetë shprehur ai.

Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje" për ndihmësit e Çelës, Dritan Kamberi e Anold Cankja.

Paratë ishin fshehur në një autobus që mbërriti me tragetin e linjës Durrës-Bari.

Agjencitë ligjzbatuese thanë se kishin informacion prej një muaji për tentativën e futjes së një shumë të madhe parash ndaj ishin në pritje.

Kur autobusi i dyshuar u paraqit në port, ata e kaluan direkt në skaner çka zbuloi gjithçka.

Gjashtë qeset e mbushura me euro ishin fshehur në pjesën e sipërme të një autobusit, pranë kondicionerit. Paratë ishin të ndara në prerje të ndryshme 50, 20 por edhe prerje 10 euroshe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë