Ka ndodhur

Mbi 500 mijë euro të padeklaruara në Durrës, lihet në burg Elidon Çela

Gazeta Si - Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në burg këtë të martë Elidon Çelën, pasi u kap me 522 mijë euro të padeklaruara në Portin e Durrësit.

Sakaq, D. K., 36 vjeç, banues në Tiranë dhe A. C., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndihmësit e drejtuesit të autobusit të cilët u arrestuan 4 ditë më parë, janë lënë të lirë.

Avokati i të 32-vjeçarit ka deklaruar se eurot e kapura vijnë nga bizneset familjare si edhe nga puna 27-vjeçare në Itali.

Në dëshminë e tij një ditë më parë, Çela tha se “paratë i përkasin biznesit të familjes sonë, sepse kemi vite që operojmë në fushën e transportit”.

Ai pretendon se këtë shumë e ka deklaruar në Portin e Barit, ndërsa nga ana e grupit hetimor janë kërkuar të dhëna edhe nga autoritetet doganore të shtetit fqinj.

Pasditen e 21 tetorit, u kapën 522 mijë euro të fshehura në një autobus në zonën e kondicionerit.

Paratë ishin të futura në qese marketi dhe u zbuluan nga gjurma e zezë e lënë në skaner dhe u arrestua Elidon Çela, 32 vjeç, drejtues dhe pronar i autobusit me targë AB 633 FZ, pjesë e Agjencisë së Transportit ndërkombëtar të pasagjerëve “Buon Aventura” me seli në Lushnjë dhe Padova.

Kjo nuk është hera e parë që kjo kompani transporti akuzohet nga organet ligjzbatuese. Ajo është hetuar edhe herë të tjera për të njëjtën shkelje si dhe kontrabandë mallrash.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë