Drejtësia

U arrestuan pas protestës së opozitës te kryeministria, gjykata liron 4 të rinjtë

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës vendosi masën "detyrim paraqitje" për katër të arrestuarit, të cilët përdorën mjete piroteknike në protestën e 20 shkurtit të opozitës para kryeministrisë.

Mbi Kindi Toli, Andrea Malia, Bledar Kola dhe Ismet Stefanis, rëndojnë akuzat shkatërrim prone, goditje për shkak të detyrës dhe përdorim të lëndëve piroteknike.

Policia shoqëroi më 20 shkurt protestuesit të cilët shkaktuan incidente gjatë tubimit të opozitës të mbajtur këtë pasdite para Kryeministrisë.

Ata hodhën lëndë të rrezikshme në drejtim të godinës, ku disa prej tyre përdorën molotovë, shashka dhe gurë. Madje ata arritën të rrëzonin edhe gardhin metalik ndarës të policisë, duke iu afruar kordonit.

Në seancën e sotme janë paraqitur edhe disa deputetë nga opozita, përfshirë Gazment Bardhin, Dhurata Çupin, Agron Gjekmarkajn dhe Bledjon Nallbatin.

Adriana Kalaja, në cilësinë e avokates së protestuesve, të cilët janë ndaluar dhe dhunuar padrejtësisht nga polica pas protestës masive të 20 shkurtit, në një deklaratë për mediat bëri thirrje që të identifikohen nga prokuroria të gjithë ata policë, të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve, pasi ishin pa numër dhe uniformë policie.

Kalaja është shprehur se përtej gjithçkaje, protestuesit nuk do të jenë kurrë vetëm dhe i bëri thirrje AMP-së që të nisë një proces ndaj të gjithë zinxhirit policor që mori pjesë në këtë dhunë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë