Gazeta Si – Gjykata e Apelit ka shpallur të pafajshëm ish-gjyqtarin Admir Thanza, i dënuar për falsifikim të vulave, stampave ose i formularëve.
Gjatë procesit të Vettingut, Thanza u akuzua se kishte fshehur një dënim të formës së prerë në Itali me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë.
Dënimi ishte dhënë në vitin 1999, por gjyqtari i cili u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, nuk e pranoi konsumimin e veprës penale.
Gjykata e Tiranës më 31 maj 2019 e kishte shpallur fajtor ish-gjyatarin për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, të parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal dhe në baze të kësaj dispozite, dënimin e tij me 9 (nëntë) muaj burgim, që iu konvertua në 18 muaj shërbim prove.
Gjykata urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë Admir Thanzën për një periudhë kohe prej 18 (tetëmbëdhjetë) muaj, me kusht që të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin vendor të Provës Tiranë.
Ndërsa, Gjykata e Apelit e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar Genti Shala dhe anëtarë Emona Muçi dhe Irida Kacerja, vendosi ndryshimin e këtij vendimi, duke e shpallur të pafajshëm.
Admir Thanza, pas shkarkimit nga detyra dhe dënimit, ka bërë një rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar rikthimin e pasurisë së sekuestruar nga drejtësia shqiptare.
Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë kërkoi më pas që t’i kthehet apartamenti dhe dyqani i sekuestruar, që u sekuestruan me vendim të gjykatës së Posaçme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.