Lajme

9 muaj burg ish-gjyqtarit Admir Thanza, por dënimi konvertohet në shërbim prove

Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor ish-gjyqtarin Admir Thanza, duke e dënuar me 9 muaj burg, pasi akuzohej për falsifikim të formularëve të dekriminalizimit.
Dënimi u konvertua në shërbim prove për 18 muaj, ndërsa gjatë seancës gjyqtari Admir Thanza ka kërkuar pafajësi. Më herët, prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 1.6 vite burg.
Para trupit gjykues, ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë ka deklaruar se është i pafajshëm dhe nuk ka fshehur asnjë dënim ndaj tij.
Thanza gjykohet për zbulimin e ONM-së, në të cilin rezulton i dënuar nga Gjykata italiane me 40 ditë burgim për vjedhjen e një supermarketi.
Ndërkohë, sipas mbrojtjes së ish-gjyqtarit nuk ka pasur dënim penal nga Italia, por një sanksion të dhënë me marrëveshje për një vepër që ai këmbëngul se nuk e ka kryer.
“Nuk e kam falsifikuar formularin e dekriminalizimit, nuk kam fshehur asnjë dënim. Nuk kam asnjë dënim penal nga Italia, por një sanksion të dhënë me marrëveshje për një vepër që s’e kam kryer”, ka deklaruar Thanza para trupit gjykues.
Në fund të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Tiranës vlerësoi se akuza është vërtetuar te çdo dyshimi dhe për këtë shpalli të fajshëm Thanzën.
Gjyqtari Admir Thanza u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 17 korrik 2018, pasi nuk deklaroi dënimin që kishte marrë në Itali në vitin 1999.
Më 18 prill, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e shkarkoi përfundimisht nga detyra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë