Nga Gazeta Si – Trajneri i ekipit kombëtar U-21, Alban Bushi doli sot në një konferencë për mediat ku foli për kualifikueset e Europianit 2025 dhe analizoi skuadrën e tij në këto eliminatore, ku dolëm në vendin e 4. Tekniku kuqezi e konsideroi sukses grumbullimin e 16 pikëve përgjatë këtij edicioni si edhe kalimin e shumë elementëve nën-21 vjeçarë tek ekipi kombëtar A.
Ndër të tjera, trajneri Bushi foli edhe për të ardhmen e tij dhe të ekipit Shpresa, duke nënvizuar se kjo skuadër do të jetë në çdo sezon favorite për t’u kualifikuar.
“Nuk mund të them që pritshmëritë ishin më të mëdha. Patjetër që ne bëmë mirë këtë edicion. Ishte edicion emocionues dhe ka pasur shumë surpriza. Kundërshtarët ishin shumë të fortë, grupi ka qenë shumë i ekuilibruar dhe e mbyllëm në vendin e katërt. E nisëm mirë me dy fitore në Armeni dhe me Rumaninë. Pas këtyre fitoreve u rritën më shumë shpresat për kualifikim, por gjithsesi ne e dinim që do të ishte e vështirë. E mbyllëm mirë edicionin me dy fitore, por nuk patëm vazhdimësi gjatë saj. Për t’u kualifikuar duhet të kesh vazhdimësi dhe kjo vjen nga grupi i lojtarëve që ke. Nuk është se kemi pasur një grup të gjërë lojtarësh cilësor. Kemi pasur pak, pjesa tjetër ka qenë plotësuese për ekipin. Ndërsa kundërshtarët si Zvicra apo Rumania janë në nivel të jashtëzakonshëm përsa i përket grupit të lojtarëve, kjo bëri dhe diferencën në fund. Në mes të edicionit na kanë penalizuar shumë gjëra, si largimi i disa lojtarëve te ekipi A dhe dëmtimi i tyre. Kristian Shpendi na ka prishur shumë punë, u dënua tre ndeshje nga kartoni i kuq dhe nuk ishte për ndeshjen me Malin e Zi që na ka ngelur pishman sepse sot do të ishim të dytët”, tha Bushi.
Bushi foli për lojtarët e ftuar nga ekipi Kombëtar A, duke thënë se Kombëtarja A ka gjithmonë prioritet për të marrë çdo lojtarë nga ekipi U-21 dhe kualifikimi shkon nga kjo rrugë. Ekipet e tjera si
“Ekipi A ka marrë shumë lojtarë nga ne dhe mbase na ka penalizuar. Mund të them rastin në ndeshjen me Malin e Zi që kishim shumë nevojë për lojtarë, pasi nuk kishim të drejtë ndërrimi dhe na u donte shumë Medon Berisha, por ekipi A kishte dy ndeshje miqësore me Suedinë dhe Kilin. Na penalizoi sepse mund të fitonim atë ndeshje dhe e humbëm në minutën e 92-të. Ai tre pikësh ishte determinant për vendin e dytë”.
Bushi tha se objektivi brenda Federatës nuk ka qenë kualifikimi.
“S’mund të jesh i çmendur dhe të thuash që do dalësh në vend të 1, me ekipe si Zvicra, Finlanda, Rumania. Por kemi bërë mirë, duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Duke pasur dhe strategjinë tonë. Unë jam i mendimit se një trajner i një ekipi kombëtar nuk duhet vetëm të marrë 3 pikë, por duhet t’i mësojë, sepse ata janë në moshë të re, t’i mësojë të luajnë bukur. Para ndeshjes me Armeninë, por edhe ndeshjet e tjera, u kam thënë djemve që nuk e dua një 3-pikësh me lojë të keqe, sepse nuk na bën punë”, tha Bushi.
I kënaqur me rekordin e pikëve që keni arritur në këto kualifikuese?
Bushi tha se “Ndihem mirë, pavarësisht se objektivat nuk kanë qenë pikët dhe nuk ka qenë kualifikimi. Ne vetë si staf duam të kualifikohemi. Atë mentalitet i japim edhe ekipit sapo ata vijnë në grumbullim. Ne duhet të kualifikohemi, të fitojmë, të luajmë mirë e bukur. Pikët janë dytësore”.
Bushi u pyet se, referuar kontigjentit që ka ekipi U-21, a ka ardhur momenti që të jemi në lartësinë e ekipit A, duke thënë se pavarësisht se në letër ne nuk jemi favoritë, “unë e them me bindje që ne do jemi çdo sezon favoritë për t’u kualifikuar”.
Kush nga lojtarët do të ketë një karrierë të mirë me Kombëtaren A?
Bushi tregoi se Feta Fetai është një lojtar që i duhet çdo trajneri dhe mbase nuk është lojtar i bukur për t’u parë në kuptimin që mund të bëjë gola, por është një lojtar që i duhet çdo trajneri në nivele të larta. Gjithashtu, Pajaziti është një lojtar i jashtëzakonshëm me shumë potencial, ka shumë vizion për lojën dhe i mungon vetëm përgatitja fizike që e ka rritur shumë vitin e fundit. Po ashtu, Medon Berisha është lojtar i nivelit shumë të mirë, vendos ekuilibër në mesfushë. Gjithashtu edhe Bajrami, qendërmbrojtës i majtë shumë i mirë.
“Janë lojtarë që mund të jenë shumë të fortë për Shqipërinë. Nga më të mirët mendoj që Fetai, pasi ka energji shumë pozitive është shumë i mirë dhe mendoj që do të bëjë shumë mirë”.
Bushi foli edhe për organizimin e Kampionatit Europian U-21 në vitin 2027 në Shqipëri, duke thënë se i duket zgjedhje shumë e mirë, sepse është gjëja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë, të organizojë kampionatin europian, nëse vendoset të bëhet.
“Nuk më intereson me kë bëhet, me Serbinë apo Slloveninë. Më intereson nga ana sportive, është diçka jashtëzakonisht e madhe, siç ishte dhe finalja e Conference League. Nuk i di të gjitha detajet, por është kampionat europian dhe Shqipëria ka shumë përfitime”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.