Komisioni Europian ka nisur grumbullimin e informacioneve për të verifikuar nëse Qipro ka shkelur traktatet e BE-së, duke aplikuar taksa më të ulta në sektorin e ndërtimit, sektor që është akuzuar në këtë vend edhe si terren i pastrimit të parave kryesisht nga mafia ruse.
Dyshimet janë ngritur pas një raporti të Audituesit të Përgjithshëm të Qipros, publikuar në shtator të vitit të kaluar, ku u gjet se investitorë të huaj që blinin prona të paluajtshme paguanin një Tatim mbi Vlerën e Shtuar prej vetëm 5 për qind, ndërsa norma standarde është 19 për qind.
Ulja e TVSH-së nga 19 në 5 për qind për pronat e paluajtshme u bë nga qeveria vendase me qëllim social për të strehuar personat e pastrehë. Sipas sistemit të përbashkët të TVSH-së në Bashkimin Europian, shtetet anëtare mund të aplikojnë tarifa të reduktuara në raste të veçanta, kur bëhet fjalë për rindërtimin, apo strehimin social. Por në Komisionin Europian janë ngritur shqetësime se kjo praktikë në Qipro po shfrytëzohet për qëllime biznesi.
Komisioni thotë se është informuar mbi këtë praktikë të ndjekur nga një vend anëtar i BE-së dhe ka kërkuar informacion.
“Komisioni do të kontaktojë autoritetet qipriote për të siguruar informacion mbi këtë çështje. Nëse vëren shkelje do të nisë procedurën e parashikuar nga nenin 258 i Traktatit të BE-së për t’u siguruar që hapat e nevojshme korrigjuese do të ndërmerren”, thotë KE.
Sipas parashikimeve të këtij neni, nëse Komisioni vëren se një anëtar ka shkelur traktatet e unionit fillimisht e paralajmëron duke i renditur vërejtjet dhe nëse ato nuk merren për bazë dhe aplikohen, çështja mund të shkojë para Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.