Bota

Turqia refuzon të mbajë afganët.T’i ndihmojë BE-ja dhe Gjermania

Turqia nuk ka kapacitet për të pranuar një valë të re të mundshme emigrantësh nga Afganistani, deklaroi sot presidenti Rexhep Taip Erdogan.

Ai tha në një bisedë telefonike me kolegun e tij gjerman Frank-Walter Steinmeier se Gjermania dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian duhet të ndihmojnë fqinjët e Afganistanit sepse “ata mbajnë barrën e migrimit afgan”.

Turqia aktualisht është vendi me më shumë emigrantë të pranuar, përfshirë 3.7 milionë sirianë. Autoritetet në vend janë të shqetësuar për një fluks të mundshëm të ri emigrantësh që ikin nga Afganistani nga talebanët.

Në Turqi, intoleranca e popullsisë ndaj emigrantëve po rritet sepse vendi është në një situatë të vështirë ekonomike, e cila është përkeqësuar gjatë pandemisë së Covid-19 përfshirë një shkallë të lartë të papunësisë.

“Presidenti Erdogan nënvizoi se Turqia nuk ka kapacitet të mbajë barrën e migrimit të ri”, thuhej në një deklaratë nga kabineti i tij.

Erdogan shtoi se askush nuk dëshiron që një skenar i ngjashëm me atë të vitit 2015 të ndodhë përsëri, kur qindra mijëra refugjatë ikën nga lufta në Siri në vendet perëndimore përmes Turqisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë