Lajme

Turqia liron dy ushtarakët grekë

Dy ushtarakët grekë të liruar nga burgu i Adrianupolit në Turqi, janë kthyer pas mesnate në atdhe, ku janë pritur me nderime zyrtare.

Me avionin qeveritar të kryeministrit Tsipras, që ishte dërguar posaçërisht në Edrine  ata janë pritur në aeroportin e Selanikut  rreth orës tre të mëngjesit të së mërkurës nga ministri i Mbrojtjes, Panos Komanos  dhe  nga familjarët e tyre.

Dy ushtarakët janë liruar pasi kanë dalë për herë të gjashtë para prokurorit turk në Adrianoypoli.

Ata u arrestuan më 1 mars, pasi kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin turk, ndërsa akuzoheshin edhe për tentativë spiunazhi ushtarak.

Lirimi i tyre ka ardhur si rezultat i përpjekjeve diplomatike të bëra nga ana e Athinës në bashkëpunim me partneret perëndimore.

Ky zhvillim hap perspektiva të reja për forcimin e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në rajon ka deklaruar zv.ministri i Jashtëm grek, Georgios Katrougalos. Ndërkohë, edhe ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos, që pak ditë më parë kishte akuzuar presidentin Erdogan se kishte organizuar rrëmbimin e dy ushtarakëve greke, ka thënë se dy vendet mund të jetojnë bashkë në mënyrë paqësore dhe të ndërtojnë të ardhmen, duke respektuar të Drejtën Ndërkombëtare.

Sipas analizave të para vlerësohet se me këtë veprim, Ankaraja kërkon të rivendosë urat me BE në përpjekje për të gjetur mbështetje ndaj luftës ekonomike.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë