Bota

Turqia kërkon që BE e SHBA të mos përzihen në “sherrin” që ka me Greqinë

Ankaraja dhe Athina kanë interpretuar ndryshe rezultatin e takimit të fundit mes Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në lidhje me rolin e BE dhe SHBA në sherrin greko-turk.

Në atë takim, të dy udhëheqësit vendosën që të ulin tensionet dhe të kenë një verë "të qetë" si dhe të krijojnë një kanal të drejtpërdrejtë të komunikimi me njëri-tjetrin.

Duke folur para gazetarëve gjatë kthimit të tij nga Azerbajxhani, Erdogan tha se çështja më e rëndësishme për të cilën ata ranë dakord me Mitsotakis ishte të komunikonin drejtpërdrejt përmes të dërguarve të tyre Ibrahim Kalin dhe Eleni Sourani dhe pa ndërmjetësimin e palëve të treta, organizatave dhe shteteve.

Athina beson se Erdogan duket se kërkon të anulojë vijën greke se marrëdhëniet greko-turke janë pjesë e marrëdhënieve BE-Turqi. Burime diplomatike greke thanë për Skai TV se komunikimi dypalësh është diçka që shkon paralelisht me marrëdhëniet BE-Turqi.

“Arkitektura e politikës së jashtme greke është ndërtuar brenda një konteksti BE-Turqi. Ekziston çështja e një agjende pozitive dhe çështja e kushtëzimit”, tha një burim diplomatik për Skai.

I njëjti burim shtoi se Athina këmbëngul dhe do të vazhdojë të këmbëngulë që çështja e marrëdhënieve greko-turke të jetë euro-turke.

Në një samit javën e ardhshme, udhëheqësit e BE do të ndjekin një qasje karrote dhe shkopi ndaj Turqisë. Praktikisht, nëse Turqia angazhohet në dialog dhe ul tensionet në Mesdheun Lindor, atëherë do të jepen lëshime të tilla si modernizimi i legjislacionit të bashkimit doganor BE-Turqi.

Përndryshe, opsionet e samitit të marsit të BE do të aktivizohen duke synuar të godasin sektorë të veçantë të ekonomisë turke. Megjithatë, përfundimet e samitit BE-SHBA parashikuan që çdo zgjidhje në Mesdheun Lindor do të duhet të bazohet në Ligjin Ndërkombëtar të Detit, i cili nuk është ratifikuar nga Turqia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë