Lajme

Turizmi, Rama mbledh kryebashkiakët dhe prefektët

Rezultatet e këtij sezoni turistik, i cili ende nuk ka përfunduar, kreu i qeverisë Edi Rama i ndau edhe me kryebashkiakët dhe prefektët.  

Ai i paralajmëroi kryebashkiakët para zgjedhjeve të 2019-ës që të marrin masa për sezonin turistik, duke lënë të kuptohej në këtë mënyrë se nuk do të ishin të gjithë për rikandidim.

“Bëni reflektimet tuaja e bëni propozimet pa humbur kohë për sezonin e ardhshëm pavarësisht se qershorin e ardhshëm janë zgjedhjet, e shumë nga ju mund të jenë në fushatë shumë mund të mos jenë, po përgatitjet duhen filluar”, tha Rama.

Detyrat që kryeministri Rama iu la kryetarëve të bashkive, madje duke iu përgjëruar ishin të fokusohen tek agroturizmi.

“Do t'ju lutesha shumë dhe do t'ju përgjërohesha shumë  që të fokusoheni tek agroturizmi, ndërkohë që potenciali për agroturizmin është kaq i madh dhe të ardhurat që agroturizmi sjell për njësitë vendore janë potencialisht kaq të mëdha, ne detyrohemi të shtyjmë dhe të përsërisim thirrjen për aplikime”, u shpreh Rama.

Ai shprehu keqardhje që disa prej kryebashkiakëve demokratë nuk ishin të pranishëm në këtë takim, pasi po diskutoheshin tema të përbashkëta pa ndasi politike.

“S’dua të bëj politikë, por më vjen keq që s’janë të pranishëm kryebashkiakët e PD, ndërkohë që flasim për një temë të përbashkët, s’ka arsye të kemi ndarje politike. Një sipërmarrës në Velipojë më tha si i ishin ulur taksat, por në rrugë s’ishte hedhur asnjë lopatë me rërë. Kjo është kambanë për Bashkinë e Shkodrës. Secili mund të dëgjojë për kambana të tilla në të gjithë territorin. Duke pasur vetëdijen se sa shumë janë nevojat tuaja duhet të shohim bashkërisht mundësinë që të bëjmë ndërhyrje të zgjuara”, tha kryeministri.

Më tej, Rama deklaroi se këtë vit ka pasur rritje të madhe të numrit të turistëve dhe afro gjysmë miliard euro më shumë të futur në ekonomi nga turizmi sesa vitin e kaluar, por sipas tij ende ka shumë punë për të bërë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë