Turizëm

Turizmi nën terror: Masat e Qeverisë absurde. Gjysma do të humbasin vendet e punës

Sabina Veizaj – Masat më të fundit të qeverisë për moskthimin e shpejtë drejt normalitetit të plotë dhe lënia e kufizimeve të lëvizjes, janë sinjale ogurzeza për turizmin në Shqipëri për këtë sezon tejet të shkurtër dhe disa të tjerë në vitet që do të vijnë. Të paktën kështu mendojnë sipërmarrësit që veprojnë drejtpërdrejt dhe tërthortë në fushën e turizmit.

Nënkryetari i ATOA (Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike) Kliton Gërxhani pyet: “Ç’kuptim ka trumpetimi i hapjes së plazheve në qershor kur karantinimi nuk është hequr?!”

Sipas tij, është absurde të reklamosh hapjen e sezonit turistik teksa protokolli i masave të të bërit plazh është akoma draft, ndërsa bizneset duhet të dinë nëse do të hyjë në fuqi e do të zbatojnë 50 faqe rregulla, 10 faqe rregulla, apo asnjë rregull.

Kliton Gërxhani, ATOA

“Nëse do zbatojnë ndonjë masë duhet të investojnë për pajisjet dhe të trajnojnë stafin. Dhe kanë vetëm edhe 1 javë për të qenë gati, ndërkohë që shteti nuk është gati. Themi që shpresën e kemi tek turizmi vendas, por turistit vendas i heqim mundësinë të lëvizë me makinë (të shtunë e të diel kur është pushim)?!! Dhe për t’i dhënë optimizëm që të bëjë pushime të gëzuara, i themi (që tani!) që nga tetori deri në mars, fundjavave nuk do të  lëvizë përsëri me makinë, pra i kujtojmë terrorin e mbylljes psikike dhe biznesve të turizmit u kujtojmë mbyllje për 6 muaj të tjerë (ose mbyllje përfundimtare!)”, thotë Gërxhani për Gazeta “Si”.

Teksa për shumë hotele në vend kanë nisur bujtjet fundjavave, megjithë urdhrat e qeverisë për të qëndruar ende larg plazheve dhe në shumë  hotele të tjerë kanë nisur rezervimet dhe kërkesat e drejtpërdrejta për pushim fundjave, administratorët dhe menaxherët e tyre thonë se janë në hava dhe për ta nuk është më çështje pandemie, por rregullash absurde të qeverisë e cila duhet të kuptojë sipas aktorëve të tregut, që turizmi është delikat dhe kërkon profesionalizëm e përgatitje. “Nuk mund të marrësh vendim një ditë përpara apo dy, apo në mbrëmje dhe të funksionojnë zinxhiri i trurizmit”, shprehen ata.

“Ne jemi pezull dhe të shqetësuar në lidhje me masat nonsense të qeverisë. Kurse për turistin shqiptar jemi optimist sepse kemi kërkesa dhe rezervime. Nuk ndërveprojmë për shkak të masave. Janë 1,3 mld euro që shqiptarët shpenzojnë për turizëm jashtë kufijve. E imagjinoni t’i shpenzojnë brenda vendit? Po si? Nuk lejohen fundjavave të përdorin makinën, nuk jemi gati përsa i përket zbatimit të protokollit të sigurisë, pasi ai nuk është miratuar, është ende draft. Trajnimi i stafit nuk bëhet në dy ditë, bëhet me praktikë, dalëngadalë, teksa veprimtaria fillon. Nuk e di se si do t’ia bëjmë. Çmimet i kemi ulur me 20%. Stres ne dhe stres qytetarët. Po penalizohemi të dyja palët”, shprehet Fatos Cerenishti, i “Fafa Resort”.

Zoti Cerenishti thotë me bindje që ky është sezoni më i vështirë ndonjëherë për turizmin.

“Një pjesë e mirë e hoteleve shqiptare janë certifikuar sipas standarteve ndërkombëtare të agjencisë skandinave “Apollo”, e cila sjell turistë të sofistikuar në Shqipëri. Aktualisht nuk është problem i kërkesës dhe ofertës, por i qeverisë. Duhet të miratohet protokolli, të hiqen kufizimet e lëvizjes dhe sezoni të çelet urgjentisht”, thotë ai.

Për Eva Ramën, eksperte në fushën e financave dhe turizmit, situata për të zhvilluar turizëm këtë vit është e nderë dhe horizonti është i errët shumë.

“Nëse kryeministri do të merret me plotësimin e tekave apo fiksimeve të tij është e kotë të flasësh profesionalisht. Nga të gjitha shoqatat i është kërkuar që të krijojë kushte për punë, të lejojë hapjen e kufijve dhe të negociojë me sa më shumë shtete, nëse nuk varet vetëm nga ne. Ai shkon dhe bllokon edhe dy javë të tjera ekonominë, duke mos stimuluar sadopak lëvizjen dhe konsumin e brendshëm që të fillojë të kemi shpresë për ringritje”, shprehet znj.Rama.

Zak Topuzi, kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit e përshkruan situatën si terror dhe në këto kushte nuk mund të zhvillohet turizëm.

Zak Topuzi, Shoqata Hoteleri-Turizëm

Sipas tij, duke u nisur nga masat e qeverisë parashikohet që të humbasin 50 % vende pune të lidhura drejtpërdrejt dhe indirekt me sektorin e turizmit.

“Turizmi është industria më e goditur nga pasojat e pandemisë. Pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë sinjal si mund të fillohet edhe pse është thënë që 10 qershori do të shenjojë çeljen e plotë të sezonit. Nuk kemi protokollin e miratuar, disa syresh po procedojnë me draftin, por asnjëherë nuk i dihet, nuk kemi përcaktuar menaxhimin, strategjinë, zhvillimin, paketat. Të gjitha këto duan  kohë. Pjesën më të madhe të turizmit të brendshëm e zhvillon Tirana. Ti kryeqytetin e vulos si zonë të kuqe me pamundësi komunikimi me pjesën tjetër të vendit. Fundjavat i mbyll, kur shqiptarët tanimë i kanë bërë pushimet të izoluar në shtëpi dhe vetëm fundjavave kanë mundësi të pushojnë. Përpos që do të punojmë me kapacitet të reduktuar në zgrip, teksa shumë restorante në hotele e gjetkë nuk kanë hapësira jashtë dhe rrezikojnë të mbyllen, kemi dhe masat nonsens të qeverisë”, shprehet zoti Topuzi.

Shumë syresh kanë lidhur kontrata 5-vjeçare, thotë Topuzi, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për t’i dëmshpërblyer. Në fakt, sqaron ai, turizmi edhe pse më i godituri, është më i pambështeturi. “Përveç 10 mijë punonjësve që morën bonusin 40 mijë lekë vetëm një herë, sektori nuk ka përfituar tjetër gjë. Kredi me interes 5%? Jo, faleminderit. Unë kredinë e kam me 4,5 % dhe këtë lloj kredie nëse më duhet e marr vetë dhe jo për likuiditet, por për të investuar”, sqaron z.Topuzi. Ai e sheh me pesimizëm turizmin këtë vit që – sipas tij – do të ketë pasoja edhe vitet e ardhshme. Duke folur për situatën, ai bën një qasje krahasuese me rajonin duke thënë se ka dy javë që shtetet rreth e qark e kanë nisur turizmin e brendshëm.

Greqia – thotë ai – ka ndërmarrë incentiva fiskale duke bërë zero TVSH për  hotelet dhe ka ulur TVSH me 50% për baret dhe restorantet deri në 4 vite deri sa normaliteti të rikthehet përfundimisht.

Pak kohë më parë, kryeministri Edi Rama do të deklaronte se Shqipëria do të ishte e para që do të hapte kufijtë dhe se të huajt mezi po prisnin të bujtnin në vend duke e konsideruar Shqipërinë covid-19 free. ©Gazeta “Si”

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji

Më Shumë