Lajme

“Turizmi në errësirë, qeveria merr ngjyrë në plazh”

“Jam duke pirë një kafe në Pogradec. Kamarieri më tha që pronari do e mbyllë aktivitetin në 15 shtator se s'ka më punë. Kurse ai do largohet që në 31 gusht për në Mal të Zi të punojë me vëllain në ndërtim. Ndërkohë që ministri i shkretë e bëri të vetën e i la të punonin deri në 15 nëntor. Vras mendjen të kuptoj ç'dreq duhet të zgjidhim më parë në këtë vend, dhe mendja nuk më hiqet nga kamarieri i Pogradecit që detyrohet të punojë në ndërtim në Mal të Zi”... Kështu shkruan Kliton Gërxhani i ATOA, (Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike) në llogarinë e tij në Facebook.

I pyetur nga Gazeta “Si” nëse shoqatat kanë bërë ndonjë takim me përfaqësues të qeverisë a me ministrin e linjës për ndonjë zgjidhje të mundshme, thotë se "nuk ka asgjë të re, përveç errësirës që ka pllakosur sektorin".

“Për kërkesat po presim të mbarojë "sezoni" që të jemi në një mendje, kurse për takimet po presim të marrë pak ngjyrë shteti në plazhe”, shton Gërxhani me ironi.

Ndërsa Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, i kërkon qeverisë të ta marrë seriozisht vjeshtën, kur pritet që Industria e Turizmit & Udhëtimit të kalojë në kolaps total.

“Ky është alarm i vërtetë, kur dihet se Turizmi mbulon 48% të eksporteve shqiptare dhe deri sot, kanë ardhur jo më shumë se 25% e turistëve”, thotë Topuzi duke përmendur disa shembuj europianë dhe rajonalë se si janë angazhuar qeveritë respektive në mbështetje të turizmit.

“InterContinental Hotel Madrid, për shkak të situatës së rënduar nga Covid-19, në Spanjë, njoftoi klientët se mbyllja do të vazhdojë deri në fund të tetorit!!! Vërtet hoteli rri mbyllur, por punonjësit e tij paguhen nga shteti me 80% të pagës dhe sigurimet shoqërore! InterContinental Hotels & Resorts”, lider botëror i hotelerisë, për shkak te pandemisë, mbylli deri në fund të muajit gusht zinxhirin e hoteleve të tij në gjithë botën, shprehet Topuzi.

Lajmet nuk janë optimiste për Industrinë Hoteliere & Udhëtimin. Lajmet për rritjt të numrit të infektimeve nga Covid-19 janë shqetësuese. Rekomandimet e ekspertëve janë për kufizimin e lëvizjeve jashtë kufijve nacionalë dhe masa mbrojtëse shtese.

"Ndërkohë, Mali i Zi miratoi “Paketën 3 të Rimëkëmbjes” me 1,2 miliardë euro, ku 89 milionë euro do të jenë për Turizmin. Një vend me një të tretën e popullsisë tonë ndërmerr masa serioze për mosfalimentimin e ekonomisë”, vijon më tej Topuzi.

Situatën e errët në sektorin e turizmit e konfirmojnë edhe shifrat zyrtare të INSTAT për muajin korrik dhe shtatëmujorin e vitit.

67,3% më pak pushues të huaj kanë hyrë në Shqipëri në korrik krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kurse si shtatëmujor, krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2019, janë 65, 9 % më pak turistë në vend.

Përgjatë shtatë muajve të 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 52,4 %, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 88,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin korrik 2020, janë 663.980. Krahasuar me korrikun 2019, ky tregues rezulton me rënie 61,5 %.

Në korrik 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 387.716. Krahasuar me korrikun 2019, ky numër ka rënë me 67,1 %.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në shtatëmujorin 2020 është 1.169.610, duke rënë me 64,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori shqiptar, gjatë muajit Korrik 2020, janë 545.962 duke shënuar një rënie me 62,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit korrik 2020 janë 246.334. Krahasuar me korrikun 2019, ky numër ka rënë 52,3 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit korrik 2020, janë 299.628. Krahasuar me korrikun 2019, ky numër ka rënë 68,4 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në shtatëmujorin 2020, është 1.626.642 duke rënë 48,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë