Lajme

Turizmi në ditë të zeza, 50% e punonjësve s’janë kthyer në punë, 1800 agjenci janë mbyllur

INSTAT raporton për ulje me 68 % të turistëve të huaj në tetë mujorin e parë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shoqata Shqiptare e Turizmit ka një paketë kërkesash, askush nuk po i merr parasysh

Mbajtja me shpresë për çeljen e kufijve për muaj me radhë, mandej humbja e shpresës për një rikthim të lëvizjeve për turizëm, ndalimi me VKM i ngjarjeve si konferenca, dasma dhe aktivitete të tjera ku grumbullimi i njerëzve është i pashmangshëm, i ka dhënë turizmit në Shqipëri një pamje të një sëmuri terminal.

Ata që operojnë në këtë industri nuk mbajnë më shpresa rimëkëmbjeje teksa sezoni po përmbyllet dhe çelja e kufijve duket e largët.

Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit thotë se 50% e punonjësve të larguar në mars nuk kanë mundur ti rikthejnë në punë dhe nga 50% që janë aktiv do vijojnë shkurtimet e mëtejshme me mbylljen e sezonit.

Sipas të dhënave të shoqatës, 1800 agjenci turistike janë mbyllur sepse nuk kanë pasur produkte për të shitur teksa kufijtë mbeten të mbyllur.

Në këto kushte kur turizmi ndodhet në grahmat e fundit të jetës, Shoqata Shqiptare e Turizmit ka përgatitur një paketë kërkesash për qeverinë që ia ka nisur do një muaj më parë dhe prej dy javësh po përpiqet “të takojmë të paktën Ministrin e Turizmit Blendi Klosi, por me fillimin e fushatës, nuk po shohim ndonjë dritë jeshile, as për të biseduar të paktën”- thotë Topuzi për gazetën “Si”.

Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit

Ndër kërkesat më të rëndësishme për sektorin është heqja e taksave vendore për vitin 2020 me argumentin se 50% e punës është ndaluar me VKM siç janë dasmat, festat, konferencat dhe sipërmarrjet në mungesë pune e kanë të pamundur të paguajë taksat marramendëse sipas tij për të njëjtat hapësira të pashfrutëzueshme.

Po ashtu Shoqata Shqiptare e Turizmit i kërkon qeverisë riçeljen e kredisë sovrane 1 për të cilën sektori nuk mundi të përfitonte.

“Sepse, përshembull, unë i largova punonjësit në mars dhe kredia u çel për listpagesat e prill-majit. Mua mu miratua 6 mln të reja dhe nuk i përdora. Mua më duheshin kur u çel aktiviteti në 29 maj. Dhe kredia ime quhet e miratuar, por unë nuk e mora se nuk më hyri në punë. Unë kam nevojë tani”- shpjegon Topuzi.

Në të njëjtën kohë shoqata kërkon zbardhje të vendimit për ristrukturimin e kredive të biznesit dhe kërkon ristrukturim normal duke u shtyrë pagesa me një vit sipas VKM-së nga momenti i ristrukturimit sepse sipas Topuzit nuk po ndodh kështu.

Ai tregon për gazetën “Si” se nuk është shtyrë afati i shlyerjes me një vit nga kontrata fillestare, por janë rritur këstet e kredisë që të përmbushet kontrata fillestare përpara pandemisë dhe “kur shkon në bankë që kërkon një dokument me shkrim, nuk ta japin. Ky vendim u morr për të lehtësuar biznesin, jo për të na zhytur më keq. Ne kur nuk punojmë me se ta paguajmë këstin e rritur?”.

Shoqata përtej këtyre kërkesave kërkon një strategji rimëkëmbje dhe incentiva fiskale siç ka vepruar rajoni dhe e gjithë bota në kushtet e pandemisë me grante, uljen e TVSH-së, etj.

Në këto kushte që ndodhet turizmi përballë një indiference totale të qeverisë, sipas Topuzit, ai parashikon falimentime në masë të sipërmarrjeve të sektorit deri në 80-%.

Mjerimin e turizmit e konfirmojnë edhe statistikat më të fundit të INSTAT, që raportom se në tetë muajt e parë të vitit janë 68% më pak turistë të huaj për pushime se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Gusht 2020, janë 846.973.

Krahasuar me Gusht 2019, ky tregues rezulton me rënie 62,5 %. Në Gusht 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 575.559.

Krahasuar me Gusht 2019, ky numër ka rënë me 63,0 %.

 Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në tetëmujorin 2020 është 1.745.169, duke rënë me 64,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Përgjatë tetë muajve të 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 53,2 %, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 89,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori shqiptar, gjatë muajit Gusht 2020, janë 846.714 duke shënuar një rënie me 60,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Gusht 2020 janë 310.593. Krahasuar me Gusht 2019, ky numër ka rënë 57,2 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Gusht 2020, janë 536.121. Krahasuar me Gusht 2019, ky numër ka rënë 62,6 %. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në tetëmujorin 2020, është 1.937.235 duke rënë 50,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë