Lajme

Turizmi kërkon paketë financiare për grupet që s’mundën të punonin

Shoqata Shqiptare e Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike kërkon mbështetje të veçantë për për bizneset turoperatore dhe agjencitë turistike, guidat dhe transportin turistik që janë edhe grupimi më i prekur dhe pothuajse pa biznes gjatë gjithë vitin si pasojë e krizës të shkaktuar nga Pandemia.

“Në përmbyllje të sezonit turistik si dhe në vijim të situatës së tejzgjatur të pandemisë, anëtarët e Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA) janë duke ndjekur me shqetësim situatën alarmante në të cilën ndodhet sektori turistik në vend. Treguesit negativë si dhe skenarët pesimistë për një kapërcim të shpejtë të situatës, kanë dëmtuar rëndë sipërmarrjen në fushën e turizmit”, citon shoqata në letrën dërguar kreut të qeverisë Edi Rama, ministrisë së turizmit, financave dhe ministrisë së shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjeve.

Në letër, shoqata bën me dije se bizneset turoperatore, agjencitë turistike, guidat dhe transporti turistik, janë kategoritë më të goditura nga kriza, sepse punojnë vetëm me sjelljen e turistëve të huaj në vend, gjë që mungoi pothuajse totalisht këtë vit, prandaj dhe kërkojnë vëmendjen e posatshme të qeverisë.

Referuar vendimit të qeverisë për paketën e ripunësimit e cila u prezantua së fundmi, shoqata kërkon që: Të shtrihet skema e qeverisë deri në datën 30 shtator 2020 për punonjësit e larguar pasi efektet e pandemisë vazhdojnë të ndihen deri më sot.

Po ashtu shoqata kërkon mbështetje për punonjësit e mbajtur në punë nga bizneset turoperatorë, agjencitë turistike, guidat dhe transporti turistik, pasi është hera e dytë që pikërisht ky grupim punonjësish i mbajtur me shumë sakrificë në punë nga ana jonë, nuk përfshihet në skemat mbështetëse të qeverisë;

Dhe të mbështetet me grante grupimi i bizneseve turoperatorë, agjencive turistike, guidave dhe transportit turistik, skemë që është ndjekur edhe nga shumë vende fqinje, pikërisht për këtë kategori e cila është më e dëmtuara e sektorit turistik.

“Kjo situatë e cila rrezikon të gjithë ekonominë shqiptare, kërkon reagimin e shpejtë të qeverisë për marrjen e masave të sugjeruara", citon letra.

Turizmi është kontribuesi më i madh i punësimit në vend, ku 93 mijë ka qënë numri i të punësuarve direkt, dhe mbi 291 mijë ishin të punësuarit në total në këtë sektor përgjatë 2017, dhe ku të ardhurat totale të sektorit kapën shifrën e 1.8 miliardë euro në ekonominë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë