Taksa

Turizmi i kërkon Veliajt të heqë taksën e ndërtesës te strukturat akomoduese për 2020

Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) i kërkon kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, që të bëjë nul taksën e ndërtesës në kryeqytet për strukturat akomoduese për vitin 2020. Shoqata e argumenton kërkesën me shfrytëzimin vetëm rreth 10% të kapacitetit për shkak të pandemisë që solli kufizime dhe bllokime në lëvizje.

Përmes një letre zyrtare, ATA bën me dije se prej disa muajsh, për shkak të pandemisë së zgjatur Covid-19 dhe mbivendosjes së saj me situatën që krijoi termeti i 26/11/2019, gjendja e industrisë Turistike & Udhëtimeve vetëm po përkeqësohet.

Letra citon se shpresa për rritje të aktivitetit turistik është zbehur nga situata kritike e pandemisë në disa shtete të BE.

Urdhëresat e VKM-të, vijon mandej letra, kufizuan shërbimet kryesore si: konferencat, organizimet festive, përdorimin e mjediseve të mbyllura (kryesoret në një hotel), zbatimi i protokollit COVID-19, ndalimi i muzikës, etj duke bërë që pjesa më e madhe e kapaciteteve të hoteleve të mos shfrytëzohet.

“Hotelet po punojnë me kapacitete të reduktuara, kryesisht në fundjavë, çmimet jane deri 40% më të lira, duke vënë ne vështiresi mbijetesën dhe pagat e  punonjësve. Serioze paraqitet gjendja me punonjësit e industrisë. Më shumë se gjysma janë pa punë. Kjo situatë është e njëjtë edhe në vendet e BE-së, që u goditën nga Covid, por në këto shtete industria turistike ka qënë më e mbështetura dhe më e stimuluara, si Italia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, etj kanë lancuar Paketën e Tretë, ku turizmi merr vëmendje maksimale”, thuhet në letrën e Shoqatës Shqiptare të Turizmit.

Sipas shoqatës, Industria e Turizmit në Shqipëri kontribuon në PPB, 1.8 miliardë euro, 48% eksportit, 47% e të punësuarve ka marrë vetëm 4 milion dollarë ndihmë si Pagë Lufte për katër muaj izolim.

Kredia për Pagat dhe Kredia Sovrane nuk ndihmuan këtë industri për kushtet specifike që ka ky sektor.

“Shoqata Botërore e Turizmit & Udhetimit WITC dhe Bashkimi Europian, që në ditët e para të muajit  mars, i kërkuan qeverive të reagojnë në ndihmë të Industrise Turistike & Udhetimit. Kerkesa kryesore e tyre ishte: gjithë taksat, detyrimet dhe kërkesat financiare të sektorit të turizmit & udhëtimit duhet të hiqen me efekt të menjëhershëm te paktën per 12 muajt e ardhshëm”. -thekson letra drejtuar kryetarit të bashkisë Tiranë.

Duke parë me realizëm gjendjen e industrisë turistike dhe të udhëtimeve, si dhe vështiresitë me të cilat ajo po ballafaqohet për shkak të Covid-19, Shoqata Shqiptare e Turizmit thotë se  ka kërkuar disa lehtësi të mundshme për t’u zbatuar në kuadër të mbijetesës: Taksën e Ndërtesës në Bashki për strukturat akomoduese të shfuqizohet për vitin 2020.

Sipas INSTAT, shifrat zyrtare të turistëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri në tetë muajt e 2020-ës për turizsëm krahasuar me 2019 janë mbi 60% më pak. Kryesisht përfituan strukturat hoteliere në bregdet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë