Treg

Turistët e aventurës duan ta shohin Shqipërinë në ‘360 gradë’ por pa guidë

Nga Megi Iskurti-Që pas pandemisë, turizmi i aventurës në Shqipëri nuk po njeh stinë.

Në këtë mendje janë thuajse të gjithë udhërrëfyesit turistikë të cilët pohojnë për Gazetasi.al se ka një interes në rritje për ta parë Shqipërinë në “360 gradë”.

Megjithatë, kureshtja e tyre nuk po ecën paralel me kërkesën për të patur pranë vetes një guidë.

Thuajse një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk po ndiejnë nevojën për t’u udhëhequr nga një person i certifikuar, kjo kryesisht për shkak të informacionit që sigurojnë nga interneti apo orientimit nga librat specifikë për turizmin.

Sipas guidave kjo është një tendencë e pritshme porse me kalimin e kohës destinacionet bëhen më të konsoliduara dhe mund të gjesh më shumë të dhëna për ta.

Grupet po preferojnë të mos zgjedhin një udhërrëfyes turistik

Lidhur me kostot e rrezikut me të cilët mund të shoqërohet ky trend, ata deklarojnë se Shqipëria nuk është një vend ku të gjithë rrezikojnë.

 “Rreziku nuk varet nga destinacioni por nga turisti. Turistët që kryesisht rrezikojnë janë turistë outdoor të cilët janë mësuar me turizmin e aventurës, edhe sikur të ishin në mes të një shkretëtire sërish do rrezikonin. Shqiptarët kanë një tendencë për të rrezikuar më pak”, thotë për Gazetasi.al Besnik Vathi, kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë.

Sipas guidave, ata që janë tek të 50-at e lart nuk duan shumë aventurë dhe rrezik. Duan që të jenë të relaksuar dhe të shijojnë destinacionin ndërsa sa më të rinj të jenë turistët, aq më e ulët është tendenca për të marrë një guidë.

Megjithatë, Vathi insiston se rekomandohet që në atraksionet turistike të aventurës turistët të shoqërohen nga një udhërrëfyes lokal i cili e njeh territorin dhe di si të veprojë në raste rreziku.

“Jo të gjithë turistët që vijnë janë të vetëdijshëm për rrezikun që mund të përballen gjatë eksplorimit të shtigjeve të caktuara dhe shumica mund të kenë pritshmëri të ulëta mbi rrezikun e tipit rrëshqitje gurësh apo gjarpërinj. Duhet të informohen më mirë”.

Ai deklaron se turistët më “të urtë” që nuk rrezikojnë shumë janë përgjithësisht nga Europa Lindore dhe Perëndimore.

Sipas guidave, ata që janë tek të 50-at e lart nuk duan shumë aventurë dhe rrezik. Hedhje me parashutë nga Llogaraja

Sinjalistika nuk është e njëjtë në të gjithë vendin

Sipas guidave, ndonëse ka patur përmirësim të dukshëm në aksesin e sinjalistikës në Shqipëri, ajo nuk është e njëjtë në të gjithë vendin.

Ata deklarojnë se në zonën e veriut ajo është në standarde më të mira se sa në jug ku ka sinjalistikë për itineraret më të frekuentura por jo tabela informuese për rrezikun.

“Këtu gjithashtu ekziston mundësia që turistët të ngatërrohen më lehtë, pasi përveç shtigjeve që synojnë pjesën turistike, ka edhe shtigje të tjera që përdoren nga banorët e zonës, gjë që mund të krijojë çoroditje, duke e bërë orientimin të vështirë”, deklaron Neritan Ibi, udhërrëfyes turistik.

Në veri sinjalistika është në standarde më të mira se në jug

Ai thotë për Gazetasi.al se turistët që po shprehin interesin më të lartë janë europianët ndërsa shton se ka mungesë të turistëve nga Egjipti dhe Lindja e Mesme që para dy vitesh u duk se do ishin një treg potencial në rritje.

Tendenca e turistëve në këtë periudhë është më shumë drejt turizmit bregdetar duke qenë se është edhe sezoni turistik dhe temperaturat janë të larta. Për rrjedhojë, thotë se është përpjekur që të bëjë një alternim të paketave, si me shtigjet malore ashtu edhe me organizimin e campingjeve në Gjipe, Karaburun dhe destinacione të tjera bregdetare.

Kostoja mesatare e aktiviteteve,gati dyfish më lirë se në rajon

Ai thotë që është e vështirë të flasësh për kosto duke marrë parasysh larmishmërinë e aktiviteteve që janë në nivele të ndryshme.

“Sportet kanë nevojë për një bazë minimale sigurie dhe shoqërim nga instruktorë profesionistë që ka një kosto shtesë. Në vendet fqinje, këto aktivitete ofrohen të paktën dy herë më shtrenjtë”.

Megjithatë, edhe sipas udhërrëfyesve turistikë, ka dy grupe specifike lidhur me profilin ekonomik sa u takon shpenzimeve mesatare.

Një grup që duan të mbulojnë të gjitha shpenzimet deri në 50 euro dhe një grup tjetër që nuk kanë prioritet koston por përvojën dhe sigurinë. Këta zakonisht sipas tyre shpenzojnë edhe deri në 120 euro për itinerar.

Destinacionet kryesore përpos Gjipesë dhe Gjirit të Bristanit në Jug, mbeten Bovilla, Thethi dhe zona e Kelmendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë