Futboll

Tuchel kthehet në Dormund si “armik”

Thomas Tuchel kthehet në “shtëpi”. Trajneri i PSG u zgjodh nga Borussia Dortmund për të zëvendësuar Jurgen Klopp në vitin 2015. Ai erdhi nga Mainz, ku u krahasua me trajnerin e tanishëm të Liverpool. Fillimi i tij nuk mund të ishte më premtues: fitoi 11 ndeshjet e para zyrtare. Sidoqoftë, ai u largua nga dera e pasme e “Signal Iduna Park” në 2017. Sapo kishte fituar Kupën e Gjermanisë ndaj Eintracht Frankfurt (1-2), kur BVB njoftoi shkarkimin e tij dhe e kompensoi me 2.9 milionë euro.

Marrëdhënia e tij e keqe me bordin, veçanërisht me drejtorin ekzekutiv Hans-Joachim Watzke, çoi në shkarkimin e tij, pavarësisht se kishte një vit tjetër kontratë. Vetë Watzke pranoi se ata kishin dallime serioze, që u rritën pas sulmit terrorist të pësuar nga Dortmund, para ndeshjes ndaj Monaco-çerekfinale të Ligës së Kampionëve. "Dallimi i madh është se unë isha në autobus dhe Watzke nuk ishte”, - tha Tuchel më vonë. Duhet kujtuar se BVB në një gjendje shoku, me Bartra në spital, u detyrua të garonte një ditë pasi pësoi sulmin. “Ata na thanë se duhet të luanim, sikur të kishin hedhur një kanaçe birre kundër autobusit tonë”, - u ankua Tuchel, duke kritikuar hapur UEFA-n dhe klubin e tij.

Trajneri gjerman bëri një vit pushim, para se të merrte drejtimin e PSG në sezonin e kaluar. Në “Parce des Princes”, ai ka fituar një titull kampioni dhe dy Superkupa. Tani, ai shpreson t'iu japë fund mallkimit të tri viteve radhazi, përballë ish-skuadrës së tij. "Kur pashë shortin, qesha me zë të lartë dhe vrapova në kampin stërvitor duke menduar: 'E dija", pranon Tuchel,, i cili i njeh vështirësitë që do të hasë gjatë ribashkimit  tij me “murin e verdhë”:  “Është një ndeshje speciale për mua. Unë kam shumë miq atje dhe është një sfidë e shkëlqyer për t'u rikthyer. I gjithë qyteti merr frymë me BVB’’.

Ndërkohë, Michael Zorc, drejtori sportiv i Borussia Dortmund ka qetësuar gjakrat me ish-trajnerin e vet: "Ne nuk po luajmë kundër Tuchel, por kundër PSG. Ai po bën punën e tij në Paris dhe, natyrisht, do të jetë i mirëpritur, kur të kthehet”. Tuchel, në çdo rast, e di se nuk do të jetë e lehtë dhe nuk dëshiron të përplaset kundër  “murit të verdhë”…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë