Dosje

Trupi i shqiptarit të masakruar në Itali 1 javë nën ujë. Familja e denoncoi zhdukjen me ‘vonesë’

Gazeta Si - Vrasja makabre e pensionistit shqiptar në Itali, Shefki Kurti, ka tronditur banorët e zonës në Rovigos. Trupi i tij u gjet i copëtuar në disa pjesë në një kanal pranë një lumi në Adigetto.

“Hetimet për të moshuarin 72 vjeç, i lindur në Durrës në 7 gusht 1950, po vazhdojnë intensivisht”, - deklarojnë autoritetet policore.    

Pesë ditë pas gjetjes së trupit, hetuesit kanë marrë në pyetje familjen e viktimës, gruan dhe dy fëmijët e tij mbi 30 vjeç.

Mediat italiane shkruajnë se autoritetet po mbledhin informacione për të rindërtuar atë që mund të ketë ndodhur rreth e rrotull gjatë orëve të fundit të jetës së pensionistit, një ish-murator.

Denoncimi "i vonuar" i zhdukjes

Trupi i Shefki Kurtit u gjet, copë-copë, brenda thasëve të mbeturinave në ujërat e kanalit Adigetto midis Villanova del Ghebbo dhe Lendinara.

Kufoma, sipas hetimeve të para mjeko-ligjore, duket se kishte rreth një javë në ujë. Pra, 71-vjeçari kishte të paktën 7 ditë larg shtëpisë: aktualisht nuk dihet nëse vullnetarisht apo jo.

Megjithatë, familja – gruaja dhe dy fëmijët e tij, që prej vitesh ndodhen në Itali – kanë kallëzuar zhdukjen e tij, vetëm të hënën e 1 gushtit, para dy ditësh.

Të gjitha hipotezat mbeten të hapura, por pas identifikimit, hetimet mund të arrijnë së shpejti një pikë kthese.

Ndërkohë policia nis apelin: “Ftohet kushdo që ka informacion të dobishëm për viktimën dhe që mund të mbështesë veprimtarinë e hetuesve, të kontaktojë me karabinierët”.

Një hetim për vrasje është hapur në Prokurorinë e Rovigos. Mbetet për t'u kuptuar se kush dhe për çfarë arsye e ka kryer krimin mkabër, por nuk përjashtohet që policia të zbardhin vrasjen në ditët në vijim.

Fillimi i hetimeve

Misteri i trupit të copëtuar dhe të hedhur në Adigetto në thasë plehrash, filloi 28 korrik, në mëngjes, kur u gjet këmba e parë nga punonjësit e Konsorciumit të bonifikimit të ngarkuar për pastrimin e zonës së mbetjeve.

Më pas, u njoftuan policia dhe zjarrfikësit. Gjithashtu të enjten e kaluar, tre pjesë të tjera të 71-vjeçarit u gjetën: trungu dhe koka e burrit në Lendinara, poshtë urës San Lazzaro Alto dhe më pas në Villanova, krahët.

Të dielën më 31 korrik, disa qytetarë anonimë raportuan gjetjen e këmbës tjetër në Villanova del Ghebbo, e mbyllur brenda një qeseje që notonte mbi ujë në Adigetto. Një mister i vërtetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë