Dosje

Shefkiu debatoi me gruan dhe la celularin në shtëpi, familja Kurti nga Italia: Nuk e dimë kush e vrau!

Gazeta Si - Familjarët e shqiptarit të masakruar në Itali, Shefki Kurti, janë të tronditur për vrasjen e kryefamiljarit të tyre.

Një ditë më parë, mediat italiane raportuan dyshimet edhe mbi familjen e 71-vjeçarit, trupi i të cilit u gjet i copëtuar në disa pjesë në një kanal që lidhej me lumin Adigetto në provincën e Rovigos.

Familja Kurti ishte larguar nga porti i Durrësit, qyteti i tyre i origjinës, gjatë një prej valëve të para të eksodit të madh nga Shqipëria drejt Italisë në vitin 1991.

Familja ka dy fëmijë, Alketa e cila u shpërngul në Zvicër dhe Arbeni, që punon Dj dhe jeton shumë afër prindërve, në Masi.

Përveç profesionit të DJ, ai është pronar i diskotekës “Babylon”, që ndodhet ngjitur me apartamentin e prindërve.

Banesa e tyre ndodhet në katin e parë mbi një magazinë, ku orët e fundit fqinjët kanë parë ekspertë të mjekësisë ligjore dhe hetues duke hyrë dhe duke dalë nga shtëpia në kërkim të gjurmëve të mundshme të Shefkiut.

Për mediat italiane, Arbeni ka rrëfyer se babai i tij, është larguar nga banesa më 22 korrik 2022, pas një grindje të vogël me nënën e tij, pra me bashkëshkorten.

“Ishte thjeshtë një diskutim, asgjë tjetër”, thotë ai. Alketa, e cila mbërriti menjëherë nga Zvicra kur mori vesh për zhdukjen e babait, thotë se prej ditësh përpiqen të mos qajnë.

“Këtu janë fëmijët tanë, nuk duam të na shohin kështu”, vijon ajo.

“Nuk ka njeri që donte ta lëndonte babain tonë. Nuk e kam idenë kush është përgjegjësi. Karabinierët po punojnë për këtë. Kam besim se do ta gjejnë autorin”, - thekson Arbeni.

Kamerat, të vendosura nga familja për të monitoruar hyrjen e shtëpisë, nuk i kanë ndihmuar autoritetet.

E megjithatë celulari i burrit, për momentin, nuk ka dhënë informacione të dobishme.

Siç shpjegoi familja, 71-vjeçari e la në shtëpi para se të dilte më 24 korrik, pas një debati me bashkëshorten.

Alketa shpjegon “misterin” e kallëzimit të zhdukjes të bërë vetëm pas zbulimit të trupit dhe shumë kohë pasi burri kishte dalë nga shtëpia, më 24 korrik, siç ishte deklaruar në komisariat.

“Tashmë karabinierët i kishim njoftuar të dielën e 24 korrikut”. Por në atë moment familja Kurti nuk kishte hipotezuar një zhdukje, por një largim vullnetar.

Ata kishin thënë se i moshuari ishte larguar nga shtëpia pas një debati me gruan pa marrë asgjë me vete, madje as celularin.

Zbulimi i pjesëve të para të trupit të 71-vjeçarit u bë më 28 korrik dhe sipas hetimeve të para mjeko-ligjore, trupi kishte të paktën disa ditë në ujë.

Ndaj ka gjasa, bazuar në deklaratat e të afërmve, që i moshuari të jetë vrarë dhe bërë copë-copë menjëherë, pasi është parë duke dalë nga shtëpia.

Ditën e djeshme mediet italiane raportuan se dyshimet bien edhe mbi familjen, pasi ata janë të fundit që e kanë parë gjallë më 24 korrik kur Kurti u largua nga shtëpia pas një sherri me gruan.

Autoritetet shpresojnë që autopsia do të mund të zbardhë shkakun e vdekjes së tij para se trupi të gjymtohej e të hidhej në lumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë