Ngjarje

Trupi i pajetë 37-vjeçares së vrarë me thikë në Itali do të prehet në Shqipëri

Gazeta Si - Trupi i pajetë 37-vjeçares Brunilda Halla, e vrarë në Itali me thikë nga një 28-vjeçar me probleme mendore në Raguza, do të prehet në Shqipëri.

Mediat italiane shkruajnë se trupi i nënës së dy fëmijëve i është dorëzuar familjarëve të saj.

Ndërkohë, autoritetet italiane kanë përfunduar autopsinë mbi trupin e 37-vjeçares dhe rezultatet pritet të publikohen pas dy muajsh.

Mësohet se i riu që vrau shqiptaren, duke e goditur 6 herë me thikë, planifikonte prej disa kohësh të vetëvritej.

Kjo u zbulua nga një letër që prindërit e autorit gjetën mes sendeve të tij.

Fillimisht ai e mohoi krimin, më pas pranoi gjithçka, përfshirë faktin se viktimën e kishte zgjedhur rastësisht, pa e njohur dhe pa pasur asnjë lloj konflikti me të.

Mediat italiane shkruajnë se në dëshminë e tij, 28-vjeçari të cilit nuk i është bërë publik emri, mësohet të ketë thënë se dëgjonte zëra në kokën e tij, por pa sqaruar mesazhin e tyre...

Mbrojtja po i mëshon problemeve të shëndetit mendor, ndërsa prokuroria e kishte klasifikuar të riun si “subjekt problematik” dhe ai i ishte nënshtruar një trajtimi kur ishte vetëm 22 vjeç.

Gjatë dëshmisë para hetuesve, ai e justifikoi veprimin e tij, pasi ndihej i bullizuar dhe margjinalizuar nga shoqëria.

“Megjithatë, i riu ishte aq i kthjellët sa të blinte një thikë në internet, me gjasë me qëllimin për ta përdorur për t’i bërë keq dikujt, siç edhe ndodhi”, shkruajnë mediat fqinje, duke shtuar se edhe pas vrasjes, ai ruajti gjakftohtësinë e madje fshehu edhe armën dhe bluzën, çdo gjë që e lidhte me vrasjen që e kreu në mes të rrugës.

Brunilda Halla, nënë e dy fëmijëve, një vajze 16 vjeçe dhe një djali 14 vjeç, u vra nga 28-vjeçari pa shkak.

Ditën e vrasjes, ndoshta ajo ka qenë në vendin dhe momentin e gabuar.  

Autori e goditi shqiptaren me thikë, ndërsa ajo po mbyllte portën e ndërtesës ku jetonte.

Ai e sulmoi nga pas, duke e qëlluar disa herë në shpinë dhe qafë, ku për fat të keq humbi jetën menjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë